Reforma territoriale/ Bilanci i vendorëve: Rritja taksash, më pak investime e të varur nga qeveria

556
Harta e bashkive pas reformës territoriale

Autor: Aurora Sulçe Porta Vendore

Katër vite më parë nisi zbatimi i reformës administrative territoriale, një nismë e shumëdiskutuar dhe jo pak e kontestuar për qëllimin pse u ndërmor dhe impaktin që do të kishte. Opozita e quajti politike, që synonte një ndarje të re elektorale. Mazhoranca e mbrojti me argumentin e decentralizimit, e autonomisë vendore dhe një menaxhimi më të mirë të ardhurave të qytetarëve dhe shërbimeve ndaj tyre.

61 bashkiakët e kanë mbushur tashmë mandatin e tyre dhe në qershor duhet të “lëshojnë fronin”. Por si ka qenë performanca e tyre? CoPlan dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë publikuar Status Raportin për financat vendore për vitin 2018. Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga burimet e veta vendore janë vetëm 29.1% e totalit të burimeve financiare për vitin 2018. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues shënoi një përmirësim të lehtë me rreth 2.3 për qind.

“Në këtë përmirësim vlerësohet të kenë ndikuar një sërë faktorësh, si rritja e nivelit të taksave dhe tarifave vendore në disa prej bashkive dhe përmirësimi i mundshëm në normën e mbledhjes së të ardhurave (duke përdorur si agjentë tatimorë ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve). Aktualisht, ky raport qëndron nën mesataren e vendeve të Europës Juglindore (rreth 34.4% në vitin 2017)”, vlerëson raporti.

Dy janë taksat kryesore që kanë mbushur buxhetet e bashkive. Taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e pasurive të patundshme, e njohur ndryshe si taksa e pronës. “Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall). Në vitin 2018, këto dy lloje taksash përfaqësuan 81.6% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore”, thekson Status Raporti.

Në fund të vitit 2018, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 5.2 miliard lekë, në rritje me rreth 10.6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Të ardhurat nga kjo taksë pritet të rriten ndjeshëm në vijim, pas zbatimit të formulës së re të përllogaritjes dhe vjeljes së kësaj takse mbi vlerën e tregut dhe jo më mbi sipërfaqe. Kjo pasi me këtë formë të re, qytetarët dhe bizneset do të paguajnë më shumë.

Taksa e dytë e rëndësishme është ajo e ndikimit në infrastrukturë, që paguhet nga firmat e ndërtimit në bazë të lejeve të dhëna. Në vitin 2018 të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 49.9% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 29.8% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta. “Këta dy tregues sinjalizojnë për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj. Gjithashtu, mund të ndodhë që bashkitë të zhvendosin preferencat për likuiditet në terma afatshkurtër, në kurriz të zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë”, thekson Status raporti.

E thënë ndryshe, bashkitë të tregohen dorëlëshuara në dhënien e lejeve të ndërtimit, ashtu siç edhe ka ndodhur gjatë vitit 2018 dhe vazhdon të ndodhë edhe këtë vit, për të gjeneruar të ardhura në arkën e tyre.

Të dhënat e raportit tregojnë se të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijuan të rriten me ritme dyshifrore për të tretin vit radhazi. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 7.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 39.4% në terma vjetorë, ose rreth 2.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm.Pavarësisht mbledhjes së më shumë të ardhurave gjatë vitit 2018, bashkitë mbeten të varura nga fondet që iu jep qeveria si transfertë nga buxheti i shtetit. Kjo bën që 4 vite më pas, reforma administrative territoriale të rezultojë ende një sfidë. Qeveria vazhdon të japë fonde nga buxheti për vendorët.

Gjatë vitit 2018, 33.9 miliardë lekë iu transferuan bashkive në trajtën e transfertës së kushtëzuar. Kundrejt një viti më parë, u dhanë 4.8% më shumë.Transferta e pakushtëzuar dhe specifike përbën burimin financiar kryesor për bashkitë duke përfaqësuar mesatarisht 47.9% të burimeve financiare të disponueshme. Rëndësia e këtij burimi bëhet më e dukshme në nivel bashkie, ku në rreth 83.6% të bashkive (ose 51 prej tyre) pesha e të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike rezulton mbi mesataren kombëtare për vitin 2018. Në Bashkinë Pustec, 97% e të ardhurave vendore përfaqësohet nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike.

Eksperti i ekonomisë, njëherazi Presidenti i UET-së, Selami Xhepa shpjegon se mënyra e ndarjes së të ardhurave është e pandershme,sepse sipas tij, kemi rajone shumë të pasura dhe gjithë varësia e tyre është nga pushteti qendror. “Është një nonsense krejt i plotë. Kemi nevojë të dimë kush është kryetari i Bashkisë, jo kryeministri. Ka probleme thelbësore me të ardhurat që gjenerohen, por edhe mënyra se si shfrytëzohen këto burime.

Alokimi i burimeve në pushtetin vendor ka problem serioze. Janë përqendruar në qytete, ku kryetari i bashkisë merr vota. Në fakt qëllimi i decentralizimit është optimizmi i burimeve, por jo duke krijuar një ndasi të madhe. Edhe Këshillat Bashkiake janë problematikë”, argumenton Xhepa.

Kjo varësi kaq e madhe financiare e pushtetit vendor nga qeveria flet për autonominë vendore të munguar. Pasi nuk mund të kesh pavarësi në veprime, nëse nuk pavarësi financiare.

Por ndërsa të ardhurat janë rritur, si janë përdorur ato? Të dhënat e Status raportit tregojnë se gjatë vitit 2018, bashkitë kanë rritur shpenzimet korrente, e thënë ndryshe për paga dhe shpenzime të tjera operative, teksa shpenzimet kapitale ose ndryshe investimet janë ulur.

Pas rritjes së përshpejtuar në vitin 2017, shpenzimet për investime shënuan një vlerë prej rreth 13.1 miliardë lekësh në fund të vitit 2018, në rënie me rreth 26.7% në terma vjetorë.“Sipas funksioneve të qeverisjes, shpenzimet kapitale për funksionet “çështjet ekonomike” (ku përfshihet infrastruktura e transportit) dhe “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” (ku përfshihen shpenzimet për strehimin dhe urbanistikë, ujësjellës dhe kanalizime vendore, ndriçimi publik) zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në të gjitha periudhat e marra në analizë (50.1% dhe 25.7% respektivisht).

Megjithatë, në vitin 2018 shpenzimet për investime në funksionin e “çështjeve ekonomike” u përgjysmuan në vitin 2018 duke regjistruar një nivel prej uljeje me rreth 6.6 miliardë lekësh nga rreth 13.0 miliardë lekë në vitin 2017 (në rënie vjetore me rreth 49.4%)”, theksohet në raport.

Të dhënat e Status Raportit 2018 tregojnë se 61 bashkitë kanë pasur në dispozicion 82.1 miliardë lekë mjete financiare, shifër kjo rreth 2.4% më e lartë se e një viti më parë. Nga këto, vetëm 13.1 miliardë lekë janë investuar, pjesa tjetër ka shkuar për paga e shpenzime të tjera operative.

“Shpenzimet kapitale janë ulur, ndërsa të ardhurat mblidhen nga taksa e infrastrukturës. Përderisa të ardhurat i mbledh nga kjo taksë, do të thotë që të bësh më shumë investime në rrugë, shkolla, kopshte, ujësjellës, etj, që qyteti të zhvillohet”, shprehet Irena Beqiraj, ish zv.ministre e Financave.

Të njëjtin shqetësim ndaj edhe ekonomisti Dritan Shano, ish zv.ministër i Financave, i cili e konsideron nivelin e decentralizimit të pushtetit vendor shumë problematik. Shano thekson se vërehet një tendencë e kryetarëve të bashkive për të krijuar një pushtet mbi votat dhe jo zhvillimin për qytetarët e tyre.

“Të krijohet ideja se është rritur mirëqenia e bashkive, por jo e qytetarëve. Kjo të çon në një pyetje ku shkojnë këto para? Raporti nxjerr një shpërndarje të parave të pabalancuar”, deklaron ai.

Të dhënat e CoPlan dhe Ministrisë së Financave dëshmojnë se në këto katër vite, raporti i të ardhurave nga burimet e veta vendore ndaj totalit të burimeve financiare ka arritur në 29.1%, vlera më e lartë historike nga viti 2010. Por edhe pse në përmirësim, analiza e detajuar në nivel bashkie dhe sipas zërave specifikë, sinjalizon për një gjendje delikate të autonomisë vendore. Me shifrat përpara mund të themi se reforma administrative territoriale nuk solli rezultatet që priteshin!