Reforma territoriale – Ambasadori i BE-së Gonzato: Duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente

240
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në takim me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvend.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi sot një takim me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvend, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi.

Gonzato theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente, të ndërtuar mbi të dhëna të sakta dhe konsensus të gjerë.

Ai nënvizoi se shpejtësia e reformave nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë dhe rritja e efikasitetit nuk mund të vijë në kurriz të demokracisë vendore.

“Është e rëndësishme që funksionet të shoqërohen me financim të mjaftueshëm, në mënyrë që autoritetet vendore të kenë autonomi reale në vendimmarrje, të mbështetur nga kapacitetet e nevojshme. Reforma duhet të sjellë shërbime më të mira për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane,” – u shpreh ambasadori Gonzato.

Në një reagim në rrjetet sociale, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri e cilësoi takimin si konstruktiv, duke shtuar se, “Takim konstruktiv sot me bashkëkryetarët Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvendin e Shqipërisë. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente, të ndërtuar mbi të dhëna të sakta dhe konsensus të gjerë. Shpejtësia e reformave nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë dhe rritja e efikasitetit nuk mund të vijë në kurriz të demokracisë vendore.”

Delegacioni shtoi se mbetet thelbësore që reforma të sjellë shërbime më të mira për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane, duke garantuar një proces të hapur dhe të bazuar në konsensus.

Iniciativa për një reformë të re territoriale vjen një dekadë pas miratimit të një reformë territoriale të miratuar në vitin 2014 që shkriu komunat dhe ndau hartën administrative në 61 bashki e 12 qarqe.

Komisioni synon të rimarrë në shqyrtim funksionimin e kësaj reforme dhe nevojën për ndryshime të reja.

Në objektivat e ngritjes së komisionit të ri parashikohet shqyrtimi i kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore; opsione të reja për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;analizë e sistemit të financave vendore, etj.