Reagimet PRO dhe KUNDËR ndërtimit të HEC Skavicës

1598
Lugina e Drinit të Zi, Dibër. Foto: Sami Curri

Një përmbledhje e argumenteve “Pro”

Përveç specialistëve të energjisë, zyrtarëve të KESH, firmave që duan ta ndërtojnë, edhe një pjesë e banorëve janë për ndërtimin e hidrocentralit. Por shumë prej tyre nuk janë në gjendje të argumentojnë idetë e tyre. Agim Kasa, ish-përgjegjës i statistikës në Dibër në vitet 1985-1992, në një shkrim në “Rruga e Arbërit”, mars 2010, rreshton argumentet ekonomikë që bëjnë të domosdoshme ndërtimin e hidrocentralit.

“Pozicioni natyror – gryka e ngushtë ku rrjedh lumi dhe shpatullat e forta shkëmbore, e bëjnë atë një vend të përshtatshëm dhe të sigurt për ndërtimin e hidrocentralit. E jo vetëm për këtë arsye, por Skavica krijon rezerva ujore për gjithë hidrocentralet e vendosur pas saj: Fierza, Komani e Vau i Dejës duke optimizuar tërë funksionimin e kaskadës së Drinit”.

Një tjetër zë, Ing. Emin Mysliu, jeta e të cilit është e lidhur ngushtë me hidrocentralet, e quan Skavicën punën e pambaruar të të gjithë linjës së shfrytëzimit të rrjedhës së lumit Drini i Zi për prodhimin e energjisë elektrike. Dhe për shkak të rëndësisë dhe kapacitetit të madh ujëmbledhës të rezervuarit, Skavica cilësohet si investim gjigant, i cili duke shtuar prodhimin e energjisë elektrike me 350 – 400 megavat, rrit jo pak por 15 % prodhimin e energjisë elektrike në vend. Duke mbështetur këtë mendim të Mysliut, Kaca në shkrimin e tij thekson se “hidrocentrali i Skavicës është një vepër e madhe dhe se ndërtimi i veprave të mëdha kërkon edhe sakrifca të mëdha”.

“Jam për ndërtimin e Skavicës, sepse mes dy alternativave zhvillimi ekonomik, me dobiprurëse për vetë ekonominë është prodhimi i energjisë elektrike se sa zhvillimi agrar i zonës orientuar nga bujqësia, blegtoria apo pemëtaria. Një histori shumëvjeçare, me gjithë format e ndryshme të pronësisë mbi tokën nuk flet tjetër veçse për zonë me zhvillim të varfër ekonomik. Baseni ujëmbledhës i Skavicës përmbyt tokën më pjellore të Dibrës, siç është Lugina e Drinit të Zi, që së bashku me Maqellarën na ka pëlqyer ta quajmë “hambari i Dibrës”, por nuk ka qene krejt kështu. Skavica duhet të ndërtohet, sepse nga ndërtimi i saj sigurohen më shumë të ardhura nga prodhimi dhe shitja e energjisë, prandaj duhet menduar si të jemi zgjidhje e problemit të ndërtimit dhe jo te kthehemi në problem për ndërtimin e Skavicës”, – shkruan Kaca.

“Pavarësisht argumenteve, ai bie dakord se qeveria duhet ta rishikojë politikën e kompensimeve dhe shpërnguljes së banorëve, në mënyrë që ata të mos kthehen në të braktisurit nga shoqëria apo të grabiturit nga qeveria. Skavica është ajo që duhet do t’i japë më shumë dritë Luginës së Drinit të Zi”, thekson ai.

Një përmbledhje e argumenteve kundër

Ali Hoxha është President Nderi i Shoqatës “Për mbrojtjen e pronave dhe të mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”. Ai thekson tre argumentet kundër ndërtimit të Skavicës.

Së pari, thotë ai, në aspektin ekonomik, Dibra është “Myzeqeja”, hambari i zonës verilindore të Shqipërisë. Ky pellg i Dibrës ka mbajtur me bukë jo vetëm gjithë Dibrën, por edhe Lumën, Mirditën e Matin, bile dhe Tiranën. Por dëmi ekonomik, për ne, qëndron në plan të dytë në krahasim me dëmin që shkaktohet në aspektin gjeopolitik dhe etnokulturor. Në aspektin gjeopolitik Dibra e Poshtme do të shpërbëhej, sepse pjesa lindore e Dibrës do t’i bashkëngjitej pjesës tjetër që ka mbetur nën pushtimin serbo-sllav qysh prej vitit 1913, kurse pjesa tjetër e Dibrës, në anën perëndimore të Drinit të Zi, do të copëtohej dhe do t’u bashkëngjitej rretheve të Kukësit, të Mirditës dhe të Matit. Pra, praktikisht nuk do të ketë më Dibër.

Në aspektin etnokulturor dëmi është i pallogaritshëm, sepse nga përmbytja e këtij territori, asgjësohet një qytetërim i tërë, një etni e tërë, do të zhdukej e gjithë Dibra me gjithë historinë e saj, gjithë ato gjurmë të qytetërimit të lashtë iliro-pellazge, si dhe Principata e Kastriotëve dhe terreni ku u zhvilluan 19 betejat fitimtare të Skënderbeut, kundër superfuqisë më të madhe të botës në atë kohë, nga 24 beteja gjithsej që ai bëri kundër Perandorisë Osmane.

Po kështu do të zhdukeshin edhe të gjitha varret e mijëra dëshmorëve të rënë për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit e të gjitha kohërave, duke u përmbytur përgjithmonë nga uji i atij “deti” artiØcial. Ai më tej bëhet më i ashpër, duke i quajtur “tradhtarë të kombit ” të gjithë ata qeveritarë që bëjnë përpjekje për ta ndërtuar hidrocentralin e Skavicës. “Të gjitha përpjekjet dhe projektet për shitjen, përmbytjen dhe asgjësimin e Dibrës dhe të historisë së saj janë tradhti kombëtare.

Kjo sepse energjia e prodhuar nga HEC-i i Skavicës është projektuar jo për nevojat kombëtare, por për eksport dhe së dyti, për faktin se aq energji që parashikohet të prodhojë HEC-i i Skavicës, Dibra i ka të gjitha resurset, që nga ujëvarat e saj mund të ndërtohen rreth 10 (dhjetë) HEC-e të vegjël, të cilët do të jepnin po aq energjia elektrike sa ç’parashikon HEC-i i Skavicës, pa u dëmtuar asnjë pëllëmbë tokë. Në këtë aspekt, tradhti kombëtare do të bënim edhe ata dibranë që do të braktisnin trojet e veta, “vetëm për një euro”, pasi do të humbasin identitetin e vet.”

Një shembull të ngjashëm u vjen nga matanë kufrit. “Dibranët nga ndërtimi i liqenit artifcial të Dibrës dhe hidrocentralit të Spiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet, pos humbjes të rreth 5000 ha tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane”, i shkruante Argëtim Fida, në atë kohë kryetar i Komunës së Dibrës së Madhe, gazetarit Abdurahim Ashiku, i cili është bërë një “zëdhënës” i përpjekjeve të kundërshtarëve të Skavicës.

Ashiku është kundër ndërtimi të çdo varianti të tij. “Si me një digë, si me tri diga, Dibra në rrënjë të saj shuhet”, – thotë ai. Gjithë mendimet dhe opinionet kundër ai i ka përmbledhur në një libër publicistikë dhe vazhdimisht i kujton opinionit qëndrimin e tij kundër. “Midis 70 specialistëve të angazhuar 50 vjet më parë për studimin e kaskadës së Drinit – topologë, gjeologë, hidrologë, ing, hidroteknikë, mekanikë, elektrikë etj., nuk përmendet asnjë specialist mjedisi: agronom, zooteknik, inxhinier pyjesh, biolog, historian, arkeolog etj. Nuk merret mundimi dhe sot të pyeten askush prej tyre, a thua se jeta ekziston vetëm në saj të energjisë elektrike.

Ashiku, ashtu si dhe Ali Hoxha, mbështesin mendimin se Dibra ka fuqi energjetike të fshehura, sidomos në hidrocentralet e vegjël. “Unë mendoj se në vend të Skavicës të ndërtohen një sërë hidrocentralesh të mesëm mbi degët e Drinit në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Gjalagjosht, Murrë, Okshtun… dhe qindra hidrocentrale të vegjël mbi degëzime më të vogla e mbi kanale ujitës. Kam përmendur një studim të viteve ’80-të, ku vetëm nga ngritja e hidrocentraleve mbi kanalet ujitëse dhe ujësjellësin e Peshkopisë, prodhimi i energjisë elektrike rritej nga 15 milionë kilovatorë në 220 milionë që, siç thuhej atëherë, “Dibra ngrohej dhe gatuante me energji elektrike”.

Gazetari Ashiku ka hartuar edhe një platformë me 9 pika për t’i bërë ballë përpjekjeve për ta ndaluar ndërtimin e hidrocentralit, mes të cilave spikat krijimi i një “Fondacioni për Mbrojtjen e Dibrës”, që do të marrë përsipër gjithë procesin për kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentralit.

Murat Koltraka, një ndër aktivistët e shoqatës “Për mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi”, në një sërë shkrimesh me argumentet kundër Skavicës thekson se “40 vite ndërtimi i kësaj vepre ka frenuar e mban të ndrydhura energjitë e komunitetit të 30 fshatrave të këtij rajoni, projekte për zhvillim e mirëqenie, ecjen përpara të tyre në raport me mundësitë që ata kanë.

Ata nuk janë e fajtorë para askujt, pse janë banorë të këtij vendi. Sipërfaqja e tokës bujqësore në Dibër është rreth 19,000 ha, kurse toka nën kulturë është 12 500 ha. Skavica fundos 10 600 ha ose 55% të fondit të tokës në total. Ky rezervuar fundos nën ujë 8000 ha tokë nën kulturë, ose 64% të saj për tërë Dibrën. T’i heqësh Dibrës 64% të tokës nën kulturë në rajonin më pjellor që përbën bazën e ekonomisë bujqësore për të, do të thotë të zbrazësh Dibrën nga dibranët. Nuk është rastësi as ai vendim fatal i vitit më 1913, kur Dibra një etni, një gjak, një gjuhë, me një kulturë, me një histori të përbashkët dhe në kufjtë e vet natyror ndahet në: Dibra e Epërme që u kaloi sllavëve dhe në Dibra e Poshtme që i mbeti Shqipërisë. Nuk është normale, që pas një shekulli Dibra e Poshtme të rindahet në dysh nga veriu në jug. Një projekt i tillë prish unitetin ekonomik dhe etnokulturor të Dibrës së Poshtme, duke sjellë pasoja të rënda për të. Kjo vepër shkëput komunikimin e fshatrave kodrinor e malorë në perëndim me ata që mbetën në lindje”, thekson studiuesi i historisë dhe kulturës, Murat Koltraka.

Të njëjtën ide me Koltrakën ndan edhe ish-deputeti i Dibrës, i ndjeri Idriz Xhomara. Në një shkrim të tijin në gazetën “Rruga e Arbërit” në prill 2011, ai shkruan se “Ideja e ndërtimit të këtij hidrocentrali si rregullator i gjithë kaskadës të Drinit e ka fllimin që në vitin 1984. Pa vazhduar më tej gjithë zhvillimi i pellgut të Drinit është mbajtur peng i kësaj ideje.

Në një zonë me tradita shumë punëtore pothuajse ka munguar ose është ndërprerë fare krijimi i pemtorëve, vreshtave, ndërtimi apo riparimi i shtëpive apo çfarëdo investim tjetër. Dhe tani pas më shumë se një çerek shekulli, kjo mund të konsiderohet pa mëdyshje si një nga efektet me negative si në aspektin ekonomik që e përmendëm më lartë si dhe në atë social duke akseleruar shumë shpërnguljen e banorëve të kësaj treve”. “Banorët e zonës së përmbytur do të marrin një shpërblim dhe sigurisht që do të zgjedhin dhe vendin ku do të vendosen. Por problemi është për ato që do të mbeten mbi kuotën e sipërfaqes të ujit, 485 m ku do të vështirësohet infrastruktura rrugore, shkollat, qendrat shëndetësore dhe mundësi të tjera që lidhen me përballimin e jetesës të cilët sipas meje do të kenë dhe detyrimin për të mbartur, transmetuar dhe zhvilluar atë traditë, kulturë dhe histori që përmendëm më lart”, mbyllte shkrimin e tij, i ndjeri Xhomara.