Raporti i TI: Shqipëria pa përmirësim në luftën ndaj korrupsionit

446
Raporti i Transparency International

Në Raportin e përvitshëm të publikuar sot, Organizata Transparency International konstaton se pjesa më e madhe e botës vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit. 95 për qind e vendeve kanë bërë pak, ose aspak përparim, që nga viti 2017, sipas raportit.

Indeksi rendit 180 shtete dhe territore sipas perceptimit të nivelit të korrupsionit në sektorin publik, sipas mendimit të ekspertëve dhe njerëzve të biznesit. Ai mbështetet në 13 burime të pavarura të dhënash, duke përdorur shkallëzimin nga zero në 100 pikë; zero tregon vende shumë të korruptuara, ndërsa 100 pikë – vende me më pak korrupsion.

Shqipëria

Shqipëria ka përparuar me 1 pikë, me 36 nga 35 pikë vitin e kaluar. Ajo renditet në vendin e 101, nga 183 shtete që vlerësohen në Raportin e “Transparency International”, por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, thotë se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”.

“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.

Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë. Përmirësim me 1 pikë shënon dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë. Edhe pse ka humbur 1 pikë, Mali i Zi renditet më mirë ndër vendet e rajonit, me 45 pikë.

Sipas të dhënave të Transparency International për vitet 2012 – 2022, nivelin më të lartë të korrupsionit Shqipëria e regjistroi në vitin 2013, me 31 pikë, ndërsa vlerësimin më të lartë e pati në vitin 2016 me 39 pikë.

Në 5 vitet e fundit, Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë përparim duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikësh.

Kosova

Me 41 pikë, Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, por vazhdon të mos e ketë nën kontroll këtë dukuri, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022.

Për vlerësimin e 180 vendeve dhe territoreve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Kosova në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit radhitet në pozitën numër 84 me 41 pikë, apo dy më shumë se vitin e kaluar.

“Kosova ka bërë përparim me një kornizë të përmirësuar ligjore për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i këtyre reformave do të jetë kyç në muajt e ardhshëm”, thuhet në raport.

“Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, thekson po ashtu Transparency International.

Sipas organizatës, rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi “është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar”.

Vendet e këtij rajoni, thuhet në raport, “kanë qenë të ngadalshme në adresimin e këtij rreziku” dhe “institucionet përgjegjëse nuk kanë ende burime të mjaftueshme dhe pavarësi”.

Krahas Kosovës, përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit kanë bërë edhe Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Kroacia është vlerësuar me 50 pikë, tri më shumë se vitin e kaluar; Maqedonia e Veriut me 40 pikë, një më shumë se vitin e kaluar, dhe Shqipëria me 36 pikë, po ashtu një më shumë se vitin e kaluar.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kthim prapa kanë bërë Mali i Zi me 45 pikë, apo një më pak se vitin e kaluar; Serbia me 36 pikë, apo dy më pak se vitin e kaluar, dhe Bosnje e Hercegovina me 34 pikë, apo një më pak se vitin e kaluar.

Në krye të listës së organizatës Transparency International janë Danimarka dhe Finlanda, me 90 pikë, përkatësisht 87, ndërsa në fund radhiten Siria me 13 pikë dhe Somalia me 12 pikë.

Duke vlerësuar situatën në përgjithësi, raporti thekson se pjesa më e madhe e botës “vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit: 95 për qind e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim që nga viti 2017”.

“Korrupsioni e ka bërë botën tonë një vend më të rrezikshëm”, tha Delia Ferreira Rubio, kryetare e organizatës Transparency International.

“Derisa qeveritë kolektivisht nuk kanë arritur të bëjnë përparim kundër tij, ato nxisin rritjen aktuale të dhunës dhe konfliktit dhe i rrezikojnë njerëzit kudo. E vetmja rrugëdalje është që shtetet të bëjnë më shumë punë, duke e çrrënjosur korrupsionin nga të gjitha nivelet”, tha Rubio.

Mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit mbetet 43 – e pandryshuar për të njëmbëdhjetin vit radhazi.

Sipas organizatës, më shumë se dy të tretat e vendeve kanë problem serioz me korrupsionin, duke pasur më pak se 50 pikë. Në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kroacisë, anëtare e Bashkimit Evropian, e cila ka 50 pikë.