Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme: Gjatë vitit 2021 Dibra me koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare

1533
Prokuroria e shkallës së parë Dibër Foto: Sami Curri

Në raportin vjetor të Prokrurorisë së Përgjithshme për vitin 2021, bëhet me dije se në prokurorinë e shkallës së parë Dibër janë regjistruar 551 procedime penale ndërsa në atë të Matit janë regjistruar 169 procedime penale. Në qarkun Dibër ku përfshihen prokuroritë Dibër dhe Mat, koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 633, duke e renditur të fundit në vend. “Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2021 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se për vitin 2021 rritjen më të lartë e ka qarku Kukës me 36 %, ndërsa qarku Dibër ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rrezulton me rritje 4,62 % krahasuar me një vit më pare.” Thuhet në raportit vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm.

  • Krimeve kundër  jetës  të  kryera  me  dashje  në  vitin  2021,  Dibër dhe Mat ku janë regjistruar 1 % e numrit total të procedimeve të regjistrua;
  • Për procedimet e regjistruara për vepra penale kundër lirisë së personit në Dibër janë regjistruar 2% e procedimeve ndërsa Mati 1%;
  • Procedimet e regjistruara për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes është 1% në Dibër dhe Mat;
  • Procedimet e regjistruara për grupveprat e vjedhjes së pasurisë në Dibër 1% dhe në Mat më pak se 1%;
  • Për vepra penale në lidhje me taksat dhe tatimet në Dibër 1% dhe në Mat asnjë procedim;
  • Për vepra penale kundër mjedisit në Dibër janë 8% e totalit të procedimeve ndërsa në Mat rreth 1% . Nga të dhënat statistikore vërehet tendenca në ulje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 205 i Kodit Penal “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në vitin 2021 prej 20 % në krahasim me vitin 2020.
  • Për vepra penale kundër pastrimit të parave në Dibër janë 13% e totalit dhe në Mat nuk ka pasur asnjë procedim. Numri  më  i  lartë  i  procedimeve  për  vepra  penale  kundër  pastrimit  të  parave, është regjistruar në Prokurorinë  e  rrethit gjyqësor Tiranë  19  %,  ndërkohë  që  koeficienti  më  i  lartë  për 100,000 mijë banorë rezulton në qarkun Dibër me 35 procedime dhe qarkun Gjirokastër me 31 procedime;
  • Për veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërore në Dibër është 8% dhe nuk është regjistruar asnjë procedim penal për këtë vepër në Mat;
  • Për krimin kibernetik është 1% në Dibër dhe nuk është regjistruar asnjë procedim në Mat;
  • Trafiqet e paligjshme 1% në Dibër ndërsa në Mat nuk është regjistruar asnjë procedim;
  • Prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve me 1% në Dibër dhe Mat;
  • Shpalljet në kërkim ndërkombëtar në Dibër për vitin 2021 ishin 4 persona, ku 3 janë me masë sigurimi “arrest me burg” dhe 1 dënim me burg. Ndërsa në Mat janë në total 10 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar ku 5 janë me masë sigurimi “arrest me burg” dhe 5 dënim me burg;

Volumi në hetim ku përfshihen çështjet e mbartura, çështjet e regjistruara, çështjet e rifilluara dhe ato të mosfilluara, për vitin 2021 sipas prokurorive është si më poshtë:

  • Në prokurorinë e shkallës së parë Dibër janë ndjekur 1568 çështje;
  • Në prokurorinë e shkallës së parë Mat janë ndjekur 286 çështje;

Numri i procedimeve penale të regjistruara në vitin 2021

  • Në prokurorinë e shkallës së pare Dibër janë regjistruar 551 procedime penale;
  • Në prokurorinë e shkallës së parë Mat janë regjistruar 169 procedime penale;

Në total gjatë vitit 2021, organi i Prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 610,153 materiale në shqyrtim, që përbën një rritje prej 4,35 % në krahasim me vitin 2020. Janë ndjekur gjithsej 47,512 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 5,97 % në krahasim me vitin 2020, nga të cilat 28,368 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 1,71 % në krahasim me vitin 2020, dhe 940 procedime penale të rifilluara, që tregon rritje prej 46,87 % në krahasim me vitin 2020. Janë mbartur në vitin 2021, 18204 procedime penale me rritje prej 11,65 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2020. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 13, 503 referime dhe kallëzime penale, me ulje prej 0,94 % në krahasim me vitin 2020.