Raporti i KLSH: Punësime pa garë dhe mungesë transparence në Bashkinë Mat

381
Foto ilustrim

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika serioze në mënyrën se si Bashkia Mat ka realizuar proceset e punësimit gjatë vitit 2024, duke konstatuar mungesë transparence, shkelje të parimit të konkurrencës së hapur dhe rrezik për keqadministrim të burimeve njerëzore. Gjetjet janë pjesë e Raportit Përfundimtar të Auditimit Financiar për periudhën 01.01.2024–31.12.2024.

Sipas raportit, Bashkia Mat nuk ka hartuar dhe miratuar një plan vjetor rekrutimi, megjithëse një dokument i tillë është thelbësor për planifikimin e nevojave reale për burime njerëzore dhe për garantimin e një administrate funksionale dhe profesionale. Auditimi konstaton se punësimet janë kryer në mënyrë ad-hoc, “sipas nevojave që dalin gjatë vitit”, pa një analizë paraprake dhe pa planifikim afatmesëm, çka bie ndesh me praktikat e mira të menaxhimit publik.

Më shqetësuese, sipas KLSH-së, është fakti se nga verifikimi i dosjeve të personelit nuk rezulton e dokumentuar zhvillimi i procedurave konkurruese të hapura për punësimet jashtë shërbimit civil. Raporti thekson se punësimi i nëpunësve pa konkurrim paraprak jo vetëm që cenon parimet e barazisë përpara ligjit dhe konkurrencës së lirë, por gjithashtu bie ndesh me interesin publik dhe rrit ndjeshëm riskun për emërime klienteliste apo të pabazuara në meritë.

Audituesit vlerësojnë se kjo praktikë ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ në mbarëvajtjen e punës në institucion, duke dobësuar profesionalizmin e administratës dhe duke krijuar terren për vendimmarrje joefikase. Në raport nënvizohet se mungesa e konkurrimit dhe dokumentimit të procedurave përkatëse e bën të pamundur verifikimin e kritereve të përzgjedhjes dhe të arsyetimit ligjor për emërimet e kryera.

Një tjetër problem i evidentuar lidhet me mungesën e investimit në rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit. Raporti konstaton se Bashkia Mat nuk ka organizuar trajnime të brendshme për fusha të ndryshme të administrimit publik, përveç trajnimeve të realizuara në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA). Sipas KLSH-së, kjo situatë kufizon zhvillimin profesional të punonjësve dhe ndikon negativisht në cilësinë e shërbimeve publike që u ofrohen qytetarëve.

Në rekomandimet e saj, KLSH i kërkon Bashkisë Mat të ndërmarrë masa të menjëhershme për hartimin e një plani rekrutimi të bazuar në nevojat reale të institucionit, si dhe të sigurojë zbatimin rigoroz të procedurave konkurruese të hapura për çdo punësim, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, rekomandohet planifikimi dhe realizimi i trajnimeve të brendshme për rritjen e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e performancës institucionale.

Në qëndrimin e saj zyrtar me shkrim, Bashkia Mat ka kundërshtuar gjetjet e auditimit lidhur me menaxhimin e burimeve njerëzore dhe procedurat e punësimit, duke argumentuar se Njësia e Burimeve Njerëzore ka rol vetëm administrativ dhe nuk mban përgjegjësi për hartimin e përshkrimeve të punës, rregulloreve të brendshme apo dokumentacionit të njësive të tjera. Bashkia pretendon se rregullorja e brendshme për vitin 2024 është e miratuar, se dosjet personale të punonjësve janë të plota, se analizat mujore, gjashtëmujore dhe vjetore të punës kryhen rregullisht, ndërsa konkurrimi i hapur është zhvilluar për të gjitha pozicionet pjesë e shërbimit civil dhe për raste të tjera të parashikuara me ligj. Po ashtu, Bashkia Mat pohon se nuk ka detyrim ligjor për plan vjetor rekrutimi jashtë shërbimit civil dhe se programet e trajnimit hartohen në bashkëpunim me ASPA-n.

Megjithatë, Grupi i Auditimit i KLSH-së ka rrëzuar këto pretendime, duke theksuar se ato nuk mbështeten me fakte, argumente apo dokumentacion ligjor të vlefshëm, për rrjedhojë nuk janë marrë në konsideratë dhe gjetjet janë reflektuar të pandryshuara në raportin përfundimtar të auditimit.