Rama: Nevojitet operator ndërkombëtar për menaxhimin e ujërave termale në Peshkopi

366
Llixhat e Peshkopisë. Foto: Bulqizaime.al

Qeveria nuk ka hequr dorë nga ideja e koncesionit të burimeve të ujit termal në “Llixhat e Peshkopisë”. Kryeministri Rama e ka shprehur këtë qëndrim gjatë një vizite të zhvilluar në Dibër këtë të mërkurë. Duke inspektuar punimet e një rruge në Rabdisht, në prani edhe të kryetarit të bashkisë së Dibrës, Rama tha se duhet një operator ndërkombëtar për menaxhimin e burimeve të ujit termal, pasi një strukturë e tillë nuk mund të administrohet nga shteti.

“Për llixhat, mendimi im është që atë patjetër duhet ta marri një operator ndërkombëtar të atyre strukturave që merren me ujërat termale. Sado që jemi shtet, ujërat termale në asnjë vend nuk i mban shteti janë me operator që bëjnë atë punë. Deri dje ishte e pamundur të sillje operatorin sepse do të humbte rrugës. Tani që infrastruktura është bërë dhe Tirana është afër dhe rruga Maqellarë – Peshkopi do të mbaroj – gjithashtu edhe tuneli i Murrizit – gjithçka do të marri një energji tjetër,” tha Rama.

Katër vite më parë, Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë kishte dhënë leje për shfrytëzimin e burimeve të ujit termal në Peshkopi për një kompani private. Kjo shkaktoi protesta nga banorët si dhe nga pronarët e bizneseve që operojnë në zonën e llixhave. Në janar të vitit 2019, leja për shfrytëzimin e burimeve të ujit termal u anulua.

Si pjesë e turizmit balnear, ujërat termale të Peshkopisë luajnë një rol kryesor ekonomik në qarkun e Dibrës. Ka mbi 35 hotele dhe rreth 200 shtëpi mikpritëse që janë të lidhura ngushtë me turizmin balnear. Gjatë sezonit të pranverës, llixhat e Peshkopisë frekuentohen nga mijëra vizitorë, me një kapacitet trajtimi ditor deri në 3000 persona.