Rama: Nesër nisim fushatën për zgjedhjet e 18 qershorit pa PD-në

270

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar që nesër Partia Socialiste do të nisë fushatën elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit, nëse në këto orë të mbetura të ditës së sotme opozita nuk gjen marrëveshje me Qeverinë.

Gjatë video-monologut të përjavshëm, Rama përmendi se u tërhoq nga zgjedhjet e sotme në Kavajë për të mbajtur hapur një shteg negociatash me opozitën. Por deri më tani, u shpreh Rama, nuk ka patur asnjë negociatë. E në të tilla kushte, Kryeministri ripërsëriti qëndrimin se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në 18 qershor.

“PD sot për fat të keq është kthyer në bunker plastmasi. Sot do të zhvilloheshin zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës. Ne u tërhoqëm për t’i krijuar PD mundësinë e fundit të përfshirjes me dinjitet në zgjedhjet e 18 qershorit.

Në pak orët mbetura për të dëgjuar, zor se do të dëgjojë dhe do vendosë të bëjë detyrën  e saj për vendin. Fatkeqësisht koha e fituar për tërheqjen tonë nga Kavaja, PD nuk e shfrytrëzoi për të hapur një faqe të re bashkëpunimi të qeverisë me opozitën. E humbi këtë kohë të çmuar në mënyrën më abuzive duke festuar në bunker. Në këto kushte fija e shpresës se PD do kthehet në rrugën e arsyes është një fije shprese e padukshme. Përfundimi se në zgjedhjet e 18 qershorit do shkojmë pa PD-në, po merr formë përfundimtare. Është për të ardhur keq se durimi im nuk mjaftoi.

Në mos ndodhtë mrekullia në orët e mbetura, ne nesër do të nisemi drejt 18 qershorit pa PD-në. Drejtësinë e re dhe rrugën tonë për Shqipërinë që duam, nuk e bllokon dot më përtej 18 qershorit. Por në mungesë të PD në zgjedhjet e 18 qershorit, ne nuk do të harrojmë asnjë shqiptar që është votuar të votojë PD. Do ftojmë cdo demokrat të arsyeshëm të na bashkohet në Shqipërinë që duam. O të bashkuar pa dallim përpara, o mbrapa të ndarë nga Europa për interesat e një grushti njerëzish”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.