Rama në Fushë-Bulqizë: “Nuk do të lejoj ndërtimin HEC-eve”

1626
Protestë në mbrojtje të masivit pyjor "Sheshe Bulqizë" nga tre fshatra të Njësisë Administrative Fushë - Bulqizë. Foto: Mahir Jangulli

Kishte ardhur në Fushë-Bulqizë dhe konkretisht në fshatin Lepurakë për të vizituar “Bulqiza Traditional Guest House”, një kullë afro 200 vjeçare që është hapur për pritjen e turistëve të huaj dhe vendas. Investimi i parë në këtë drejtim për zonën, që në harkun e pak viteve ka hapur disa vende pune dhe ka pritur shumë turistë vendas dhe të huaj.

Por në fund të vizitës së tij, Rama takoi edhe disa banorë të zonës, që duke shfrytëzuar një rast të tillë, ngritën si shqetësim faktin se në këtë zonë janë projektuar të ndërtohen tre HEC-e, konkretisht “Dushk”, “Dragoi” dhe “Shytaj” që do t’ju marrin ujin, do të ndikojë negativisht në jetën e tyre dhe në prespektivën e së ardhmes për zhvillimin e turizmit.

“Janë mbledhur disa të fortë e duan që të bëhen milionera në kurriz të këtij komuniteti. Kanë ca HEC-e që duan ti ndërtojnë dhe të shkatërrojnë një zonë. Ju thoni turistët të vijnë, por pa ujin dhe pyjet, si mund të vijnë turistët? Prandaj ju lutem merrni masat”, u shpreh një banorë në takimin me Ramën.

Kryeministri Rama, pasi u njoh me shqetësimin e banorëve, ju premtoi se një gjë e tillë nuk do të ndodh dhe se nuk do të miratohen lejet. Për Ramën, kjo zonë duhet të hedh sytë nga turizmi për të parë edhe se si mund të hapen edhe kulla të tjera që mund të ketë zona, në shërbim të zhvillimit të turizmit. Për një shqetësim të tillë, Rama kërkoi që të ndiqej edhe nga deputetët e zonës që e shoqëronin në takim.

Pak javë më parë në Këshillin Bashkiak të Bulqizës kishte mbërritur një projekt – vendimi, për heqjen nga fondi pyjor publik në Njësinë Administra Fushë – Bulqizë, pronë e Bashkisë Bulqizë dhe kalimin në pronësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke ndryshuar kategorinë e përdorimit në funksion të ndërtimit të tre HEC-ve.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Bulqizë dështoi për katër herë me radhë, për të dhënë një vendim për këtë çështje. Banorët u mblodhën në sallën e këshillit ku kërkuan që këshilltarët të shpreheshin kundër një projekt-vendimi të tillë që cënonte jetën e tyre, duke ju marrë ujin dhe shkatërrimin e natyrës.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Gezmend Kenga kërkoi që kjo çështje të mos futej më në rendin e ditës, deri kur të kishte një raport të plotë të ndikimit në mjedis dhe mendimit të komunitetit.

Një premtim i tillë bërë nga kryeministri Rama, duhet parë nëse do të mbes në vazhdën e premtimeve elektorale apo do të jetë zotim që do të mbahet nga qeveria, për mos miratimin e lejeve për ndërtim të tre HEC-eve që janë projektuar në këtë zonë.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/425801181305041/UzpfSTEwMDAwNDExNDU3ODM5MjozMDYwNjExMjk0OTk0MTQ6MTA6MDoxNTYxOTY0Mzk5OjYxNzA1MzA4MjI0MTA1OTE3ODY/?id=100004114578392&__nodl