Rama “kërcënon” Metën nga Burreli: “S’ke të drejtë të qëndrosh në atë zyrë”

630
Edi Rama gjatë një takimi elektoral. Foto: Facebook

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka anuluar datën e zgjedhjeve që të mbahen me 30 qershor. Vendimi i paprecedentë dhe i paarsyetuar juridikisht u motivua me situatën kritike të krijuar dhe me rrezikun e “përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend”.

“Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor…kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Presidenca.

Rama nga takimi elektoral në qytetin e Burrelit, deklaroi se ishte i vendosur se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen, pavarësisht refuzimit të dekretimit nga Meta. Kryeministri i’u premtoi qytetarëve të Burrelit se në 4 vitet e ardhshme Burrelit do ti kthehen investimet e munguara.

“Çdo politikan e shkruan vetë fatin e tij. Nuk janë zgjedhjet për njerëzit që shohin filxhan, kthejnë filxhanin dhe shohin fatin. Me logjikën e djeshme, Meta mund t’i hapë edhe luftë Amerikës, por ne s’e pranojmë. Dje Ilir Meta  e ka shkuar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë,”- u shpreh Rama.

Rama u shpreh gjatë fjalës së tij, se Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në zyrën ku është, me vendimin që ka marrë një ditë më parë.