Qori dhe Muçi nga Lëvizja BASHKË reagojnë për djegien e makinës së gazetarit Sami Curri: Autorët të ndëshkohen, ndryshe përgjegjësi për institucionet

91
Foto ilustrim

Kryetari i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, dhe deputeti i kësaj force politike në Kuvendin e Shqipërisë, Redi Muçi, kanë reaguar pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri, duke e cilësuar ngjarjen si një kërcënim serioz ndaj lirisë së medias dhe gazetarisë së pavarur.

Në reagimin e tij, Qori theksoi se e njeh Currin prej kohës kur ai ishte student gazetarie dhe raportonte për minatorët e Bulqizës, ndërsa e vlerësoi si një nga burimet më të besueshme të informacionit për problematikat e zonës. Ai u shpreh se gazetari ka ndjekur ndër vite çështje të ndjeshme që lidhen me minierat, mjedisin dhe të drejtat e qytetarëve.

“Sot mora vesh që Samiun e kanë kërcënuar për shkak të detyrës duke i vënë zjarrin makinës së tij,” deklaroi Qori, duke shtuar se autoritetet më të larta shtetërore do të mbajnë përgjegjësi nëse autorët nuk identifikohen, kapen dhe ndëshkohen në mënyrë shembullore.

Ai shprehu solidaritet me gazetarin dhe me çdo profesionist të medias që përballet me rreziqe për shkak të punës së tij.

Në një reagim të veçantë, deputeti Muçi e cilësoi Sami Currin si një ndër gazetarët e paktë që punon me përkushtim të lartë ndaj komunitetit, pa mbështetjen e grupeve të fuqishme apo interesave politike. Ai theksoi se puna e tij ka qenë e fokusuar në denoncimin e problematikave që lidhen me shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe abuzimet në nivel lokal.

Muçi i bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe Policisë së Shtetit që të tregojnë se janë mbi interesat e grupeve të fuqishme lokale, duke hetuar dhe ndëshkuar autorët e ngjarjes. Sipas tij, reagimi i menjëhershëm është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e dhunës ndaj gazetarëve dhe denoncuesve të padrejtësive.

“Të gjithë duhet të reagojmë tani, përpara se të rrëshqasim në terrorin e dhunës ndaj gazetarëve, prokurorëve dhe denoncuesve,” theksoi ai.

Djegia e makinës së gazetarit Sami Curri, e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Bulqizë dhe e dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme, ka shkaktuar reagime të shumta nga politika dhe organizatat e medias, duke u konsideruar si një sinjal alarmi për sigurinë e gazetarëve në vend.