Qeveria rishikon ligjin për arsimin parauniversitar, ja çfarë ndryshon për mësuesit dhe maturantët

509

Qeveria ka vendosur edhe një herë të rishikojë ligjin për sistemin arsimor parauniversitar në vend, kjo pas kritikave të shumta që janë adresuar në drejtim të këtij ligji kryesisht për provimet e maturës dhe aplikimit për në universitete.

Jane dy projektligje që do të dërgohen për shqyrtim në Kuvend parashikon disa ndryshime dhe në lidhje me provimet, mësuesit dhe krijimin e këshillit kombëtar parauniversitar që d të kryesohet nga vetë ministri i Arsimit dhe 13 anëtarë të tjerë.

Projektiligji I

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1013, DATË 10.12.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PROVIMEVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.1013, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimi “Agjencia Kombëtare e Provimeve” zëvendësohet me “Qendra e Shërbimeve Arsimore”.

b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. QSHA-ja është institucion i posaçëm për organizimin, monitorimin, mbikëqyrjen e problemeve të reformës arsimore për sigurimin e cilësisë në fushën e vlerësimit të arritjeve dhe të provimeve. Ajo ushtron funksion teknik, profesional, mbështetës dhe rekomandues të politikave të vlerësimit dhe të organizimit të provimeve të maturës e të shtetit.”.

c)  Pikat 4, 5, 6 dhe 7 shfuqizohen.

ç) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. QSHA-ja kryen këto funksione:

a) Zhvillon provimet kombëtare, kryen procesin e vlerësimit të arritjes së nxënësve dhe administron bazën e të dhënave të këtyre rezultateve.

b) Kryen dhe administron vlerësime të jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe/ose me kampionim për arritjet e nxënësve të sistemit arsimor parauniversitar.

c) Ofron kontribut në hartimin e politikave arsimore e të strategjive dhe në zbatimin e tyre.

ç) Përpunon dhe analizon rezultatet e provimeve kombëtare, të vlerësimeve, të provimeve të shtetit, sipas standardeve bashkëkohore, dhe raportet vjetore të cilat i publikon.

d) Organizon dhe administron Provimin e Shtetit, që zhvillohet përmes teknologjisë digjitale, duke bashkëpunuar me autoritetet kompetente përkatëse, sipas ligjit për profesionet e rregulluara.

dh) Krijon bazën shtetërore të të dhënave për kandidatët e regjistruar në Provimin e Shtetit.

e) Digjitalizon fondet e pyetjeve të miratuara nga komisionet e Provimit të Shtetit dhe e zhvillon këtë provim, përmes teknologjisë digjitale.

ë) Trajnon periodikisht personelin organizues dhe mbikëqyrës të Provimit të Shtetit dhe të provimeve kombëtare.

f) Publikon on-line programin orientues të këtij provimi dhe fondet e pyetjeve për çdo profesion të rregulluar.

g) Administron bazën e të dhënave për arsimin parauniversitar.

gj) Krijon, arkivon, përditëson dhe administron bazën elektronike të të dhënave për arritjet e nxënësve në provimet kombëtare.

h) Kontribuon në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, të cilat janë pjesë e objektit të veprimtarisë së saj.”.

d) Pikat 9, 10 dhe 11 shfuqizohen.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Projektiligj II

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.69/2012, “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në pikën 2, të nenit 20, lidhëza “ose” zëvendësohet me “dhe”.

Neni 2

Në nenin 28 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i nenit 28 bëhet “Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore”.

2. Në pikën 2, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) Punësimi, menaxhimi dhe largimi nga detyra i mësuesve dhe i mësuesve ndihmës të arsimit parashkollor, sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimet e ministrit.”.

Neni 3

Në pikën 4, të nenit 29, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Paragrafi i parë i pikës 4 ndryshohet, si më poshtë:

“Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga 13 anëtarë me këtë përbërje:”.

2. Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë:

“b)  përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.”.

3. Shkronja “c”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë:

“c)  përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për çështjet e mirëqenies sociale.”.

4. Shkronja “d”, e pikës 4, shfuqizohet.

Neni 4

Në nenin 49, pikat 1 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë:

“1. Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, provimit të arsimit bazë dhe provimit të maturës shtetërore. Formë tjetër e vlerësimit të jashtëm është ai me një numër të caktuar nxënësish.

3. Hartimi i testeve, administrimi dhe vlerësimi në provimet kombëtare dhe në vlerësimin e arritjeve të nxënësve në arsimin fillor kryhen nga mësues të certifikuar. Pagesa e tyre bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi.”.

Neni 5

Neni 50 ndryshohet, si më poshtë:

“Neni 50

Provimet kombëtare dhe vlerësimi i arritjeve në arsimin bazë

1 .Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.

2. Në vlerësimin e arritjeve nxënësit do të vlerësohen për njohuritë dhe për kompetencat e fituara në arsimin fillor.

3. Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj.

4. Organizimi dhe zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe të provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 6

Në nenin 55 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Drejtori i institucionit të arsimit parashkollor emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë përkatëse, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë:

“2. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të jetë i certifikuar për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor. Organizimi dhe zhvillimi i procesit të certifikimit të drejtuesve të institucionit arsimor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.”.

Neni  7

Neni 57 ndryshohet, si më poshtë:

“Neni 57

Profesioni i mësuesit

1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.

2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor.

3. Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë dhe diplomë të ciklit të dytë “Master”, me 120 ECTS në fushën/lëndën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.

4. Mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar.

5. Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të cikilit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku, 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni, në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

6. Mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diploma të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, e ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Neni 8

Në nenin 63, pika 3, ndryshohet, si më poshtë:

“3. Nxënësve që nuk dëgjojnë e nuk flasin u garantohet e drejta e edukimit në gjuhën e shenjave, ndërsa atyre që nuk shikojnë përdorimi i shkrimit Brail.”.

Neni 9

Dispozita kalimtare

Përcaktimet sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 7, të këtij ligji, për fushën dhe kohëzgjatjen e programeve të studimit, zbatohen për studentët që nisin studimet në vitin akademik 2017-2018.

Neni 10

Aktet nënligjore

Aktet nënligjore në zbatim të pikës 2, të nenit 6, miratohen brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Aktet nënligjore në zbatim të neneve 2, 5, 6 dhe 7, miratohen brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 11

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.