Qeveria e Kosovës miraton operacionin humanitar të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit në Klos

434
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Foto: Qeveria e Republikës së Kosovës

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar zyrtarisht të mërkurën, më 7 maj 2025, kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për të dërguar një kontingjent të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Shqipëri, në kuadër të një operacioni humanitar të kërkim-shpëtimit.

Vendimi është marrë në një mbledhje elektronike të kabinetit qeveritar, ndërsa sipas njoftimit zyrtar, financimi i këtij angazhimi do të mbulohet nga Buxheti i Kosovës. Në komunikatë theksohet se ky veprim është pjesë e partneritetit strategjik me vendet mike, veçanërisht me Shqipërinë.

“Ministria e Mbrojtjes është e përgatitur të mbështesë Shqipërinë me një kontingjent për nevoja humanitare, përkatësisht për operacionin e kërkim-shpëtimit në zonën e quajtur Qafa e Burrelit, Bashkia Klos”, thuhet në deklaratë.

Kërkimet në këtë zonë vijojnë prej 3 majit, kur 29-vjeçari Ardit Beshiri u zhduk teksa po punonte me një ekskavator në një stog minerali, pranë fabrikës së pasurimit të kromit.

Pavarësisht përpjekjeve intensive të forcave shqiptare, banorëve dhe familjarëve, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e të riut, përveç mbetjeve të mjetit që ai drejtonte. Familjarët kanë apeluar vazhdimisht për më shumë mbështetje nga shteti, ndërsa tani edhe Forca e Sigurisë së Kosovës i bashkohet operacionit për të ndihmuar në kërkimin dhe gjetjen e Ardit Beshirit.