Qeveria dyfishon ndihmën ekonomike deri në muajin qershor

1027
Një përfitues i ndihmës ekonomike. Foto: Faktoje

Ndihma ekonomike do të dyfishohet deri në muajin qershor 2021. Vendimi është bërë publik nga Këshilli i Ministrave. Dyfishimi i ndihmës ekonomike, vjen në formën e një pakete lehtësuese financiare, për të zbutur efektet e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike, që nga familjet që nuk kanë të ardhura, deri tek viktimat e trafikimit.

Sipas ligjit në fuqi, masa e ndihmës ekonomike përcaktohet sipas strukturës së familjes, por në asnjë rast ajo nuk mund të jetë më tepër se 150 për qind e pensionit social, që është 7, 675 lekë.

Kjo do të thotë që pavarësisht nga numri i anëtarëve, një familje nuk mund të përfitojë më tepër se 11, 510 lekë. Ndërkohë që, me vendimin  e ri, maksimumi i ndihmës ekonomike shkon në 23, 020 lekë. 

Për jetimët, viktimat e trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje, masa e ndihmës ekonomike rritet nga 3 mijë në 6 mijë lekë.

Vendimi i qeverisë me vlefshmëri të përkohshme, vjen në çastin, kur Partia Demokratike ka premtuar ta dyfishojë për periudhë afatgjatë, nëse vjen në pushtet pas 25 prillit. Sipas të dhënave zyrtare, janë 63500 familje që preken nga vendimi.