Punëtori vdes gjatë një aksidenti në punë në Maqellarë

1380
Foto ilustruese nga Maqellara

Një 35 vjeçar humbi jetën në mënyrë aksidentale këtë të enjte në Maqellarë. Policia e Dibrës sqaroi në njoftimin për median, se burri ishte duke punuar në një kompani të pllakave të mermerit në momentin e aksidentit.

“Punonjësi i një kompanie të pllakave të mermerit është aksidentuar për vdekje gjatë orarit të punës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të enjte në Maqellarë të Dibrës. 35-vjeçari me inicialet Bedri Markja është plagosur në rrethana ende të paqarta dhe si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën në spital” – thuhet në deklaratën e policisë.

Policia shpjegoi se së bashku me prokurorinë po punon për zbardhjen e ngjarjes, ku humbi jetën punëtori.

Në rrugë jo zyrtare, mësohet se për ngjarjen në fjalë, policia ka shoqëruar Urim Bulkun, pronarin e subjektit “BULKU MERMER” dhe menaxherin e subjektit ku ishte i punësuar 35-vjeçari. Burime nga vendngjarja, bëjnë me dije se në punishte përgatiteshin pllaka varresh dhe në rrethana ende të paqarta një pllakë e madhe mermeri ka rënë dhe e ka zënë poshtë Bedri Markjan, baba i gjashtë fëmijëve që punonte në atë subjekt prej kohësh.