Pse hesht opozita për minatorët e Bulqizës?

378

EDITORIAL/

Ditët e fundit Partia Demokratike, dega Bulqizë i është bashkuar  protestës që organizohet nga opozita, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara selisë së Kryeministrisë. Kjo normalisht që nuk është një zgjedhje e saj pasi për këtë ka një strukturë që organizon degët e PD-s në rrethe, e në këtë formë PD Bulqizë, as më pak e as më shumë nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të bashkohet me të tjerët në atë që quhet edhe si “çadra e lirisë”.

Por ajo që së pari duhet të shqetësoj degën e PD-s në Bulqizë, është gjendja e komunitetit që ajo përfaqëson. Pra e thënë më thjeshtë, ajo duhet të ngrej zërin e të flas për problemet e zonës së Bulqizës. Por hiç, as nuk dihet se ku kanë përfunduar. Kanë ngelur vetëm në kuadrin e takimeve me deputetin Keta, që hall të vetëm këto ditë ka që të rizgjidhet për në Kuvend, asgjë më shumë. Se gjërat e tjera i ka ndritur. Nuk dihet se kur e ka pasur takimin e fundit me komunitetin që e zgjodhi; apo edhe të mburren se më në fund PD Bulqizë ka zyra dhe listë anëtarësie.

Kryefjalë e Bulqizës, nga ku ka marrë edhe emrin qytet është Miniera e Bulqizës. Dega e PD-s në Bulqizë së pari duhej të kishte ngritur zërin fuqishëm për gjendjen e minatorëve të Bulqizës. Flasim për firmën koncesionare ACR që po i shfrytëzon si asnjëherë tjetër punëtorët e saj. E si të mos mjaftonte kjo, punëtorët që punojnë në pusin e Minierës së Bulqizës, përballen deri në mungesë të çizmeve dhe rrobave e të mos kërkojmë pastaj kushtet në punë, që janë si mos më keq.

Ndërsa zona mineral mbajtëse D, mund të themi veçse sllavëruese në shekullin e XXl. Mos respektimin e kontratave që parashikon vetëm 22 ditë punë apo sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që ose mungojnë ose janë të minimizuara në maksimum. Këtu të humbur janë vetëm punëtorët e gjorë që duhet të përballen me shtypjen dhe me maksimizimin e fitimit nga pronarët e këtyre subjekteve që operojnë në zonën D.

Por pse hesht opozita?

Opozita, këtu flasim në Bulqizë, sepse ne si komunitet kjo na duhet më shumë, hesht sepse është e ndotur, shumë e ndotur madje. Ajo financohet dhe mbahet në këmbë nga disa pronarë të subjekteve minerare. E pra, si mund të flas një opozitë e kapur për gjendjen e punëtorëve në Minierën e Bulqizës!?

Njëkohësisht vlen për t’u përmendur edhe pjesa që, shkatërrimi dhe masakra më e madhe, me një pasuri kombëtare siç është Miniera e Bulqizës ka ndodhur gjatë periudhës tetë vjeçare të qeverisjes së saj.

Madje zoti Basha, në retorikën e tij asnjëherë nuk është dëgjuar të flas për gjendjen ku ndodhen minatorët e Minierës së Bulqizës, sepse është në siklet, e nuk di se çfarë të thotë.

Ndoshta minatorët e Minierës së Bulqizës do të duhej të vepronin si banorët e Zharrzës, që të tërhiqnin vëmëndjen e qeverisë dhe të medias. Por të mos harrojmë, se sa herë që minatorët e Bulqizës janë ngritur në protestë, ishte qeverisja e PD-s që gjatë tetë viteve, që ju dërgonte forcat speciale dhe i dhunonte barbarisht, pa pikë mëshire. Këtë bulqizakët nuk e harrojnë.

Këto janë vetëm disa arsye që e shtyjnë PD-n Bulqizë që të hesht. Sepse rrethohet nga të ashtuquajtur pronarë të kromit që e mbajnë në këmbë dhe është e pisët moralisht. Në këtë formë, ka vendosur që të mos shikoj problemet e çatisë së popullit të saj në Bulqizë, por të mbush furgonat e të mbaj çadrën në këmbë. Që të largojmë këta figura që janë në pushtet sot e të ngjisim në karrige ca të tjerë. Por që në thelb, problemet dhe hallet e njerëzve të zakonshëm nuk marrin zgjidhje.

/bulqizaime.al/