PS i thotë “jo” projektligjit për Statusin e Minatorit

446
Minatorë dhe ish-minatorë duke firmosur peticionin për statusin. Foto: Sami Curri

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm rrëzoi me votat e deputetëve socialistë projektligjin “Për statusin e minatorit”, të propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Nisma u shqyrtua në mbledhjen e datës 11 shkurt 2026, ku relator ishte deputeti socialist Klevis Jahaj.

Mazhoranca socialiste argumentoi se projektligji mbivendoset me kuadrin ekzistues ligjor, nuk ka analizë të plotë financiare dhe krijon trajtim të diferencuar për një kategori, duke hapur precedent për kërkesa të ngjashme nga grupe të tjera profesionale.

Ky projektligj ishte diskutuar një ditë më parë edhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa prej vitesh minatorë dhe ish-minatorë kanë zhvilluar protesta dhe peticione për një trajtim më dinjitoz social dhe shëndetësor.

Deputetja Jorida Tabaku e cilësoi kundërshtimin e mazhorancës si mungesë vullneti politik dhe theksoi se barra financiare është e përballueshme.

“Kur shikon që ke hequr TVSH-në për jahte dhe ke përjashtuar hotelet me pesë yje, tani thuhet se do prishet qëndrueshmëria fiskale nga statusi i minatorit? Qëndrueshmërinë fiskale e prishin sot favoret e Portit të Durrësit dhe kontratat koncesionare që janë vjedhje. Nuk e prish statusi i minatorit,” deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se ishte e hapur për bashkëpunim me mazhorancën: “Jam dakord që ta bëjmë një ligj të përbashkët nëse ka vullnet politik. Por përvoja ime në Parlament është e hidhur, sepse në fund tërhiqeni se merrni porosi politike.”

Kryetarja e Komisionit, Anila Denaj, argumentoi se trajtimi i minatorëve mund të bëhet brenda kuadrit ligjor aktual, konkretisht përmes ligjit nr. 29/2019. “Ka një ligj ekzistues, ku çdo nismë deputetësh mund të gjejë hapësirë për amendim. Nuk duhet të krijojmë ligje që mbivendosen me ligjet ekzistuese,” tha Denaj.

Ajo vuri theksin te mungesa e analizës financiare: “Na ka ardhur një faturë financiare e paplotë. Vetëm një shifër nuk mjafton për t’u quajtur faturë financiare. Kjo është arsyeja pse komisioni nuk mund të ecë përpara.”

Deputeti socialist Ceno Klosi kundërshtoi akuzat se mazhoranca është kundër minatorëve.

“Nuk mund ta pranoj pozicionin sikur ne jemi kundër minatorëve dhe ju jeni ata që doni t’i ndihmoni. Ne mbajmë përgjegjësi për të gjitha kategoritë, jo vetëm për minatorët,” tha Klosi.

Sipas tij, trajtimi duhet të jetë i barabartë për të gjitha profesionet e rrezikshme: “Ne nuk jemi deputetë vetëm të minatorëve, jemi deputetë të gjithë Shqipërisë.”

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, mbrojti projektligjin duke e quajtur të domosdoshëm.

“Profesioni i minatorit është profesioni më i vështirë. Statusi që kërkohet nuk është lëmoshë, është e drejtë e njohur prej 35 vitesh,” tha Muçi.

Ai shtoi se mund të gjendej zgjidhje ligjore nëse kishte vullnet për një gjë të tillë: “Nëse jeni dakord me përfitimet, ato mund të aplikohen edhe te ligji 29/2019. Pyetja është: a doni ta trajtoni këtë kategori siç duhet apo jo?”

Deputeti demokrat Kliti Hoti e cilësoi vendimmarrjen si refuzim politik. “Ata e meritojnë për ta bërë. Ne na duhen ata. Na duhen ata për të prodhuar për shtetin shqiptar. Morëm një retorikë të bukur, por në fund ishte ‘jo’. Nëse doni ta bëni, hajde ta bëjmë dhe ta gjejmë buxhetin,” tha Hoti.

Relatori Klevis Jahaj deklaroi se projektligji nuk jep zgjidhje konkrete dhe krijon konflikt ligjor.

“Projektligji nuk e adreson problematikën në mënyrë të drejtë, koherente dhe të qëndrueshme. Ai mbivendoset me ligjet për sigurimet shoqërore, shëndetin në punë dhe nxitjen e punësimit,” tha Jahaj.

Ai theksoi se ligji 29/2019 ka ndërtuar një trajtim të unifikuar për minatorë, naftëtarë dhe metalurgë: “Krijimi i një statusi vetëm për minatorët do të fragmentonte sistemin e mbrojtjes sociale.”

Sipas relacionit të projektligjit, kostoja financiare do të ishte rreth 1.2 miliardë lekë në vit për 13,300 përfitues, por relatori nënvizoi se “… nuk ka burime konkrete financimi dhe nuk ka garanci për qëndrueshmërinë fiskale.”

Prej vitesh, minatorët dhe ish-minatorët kanë zhvilluar protesta dhe peticione për njohjen e statusit të tyre, duke kërkuar pensione më të larta, trajtim shëndetësor falas dhe mbrojtje për familjet në rast aksidenti.

Projektligji i propozuar parashikonte, ndër të tjera, pension minimal 130% të pagës minimale, daljen në pension pas 20–25 vitesh pune nëntokë, trajtim shëndetësor falas për sëmundjet profesionale dhe përfitime për familjarët në rast vdekjeje.

Megjithatë, me votat e mazhorancës socialiste, Komisioni për Burimet Natyrore vendosi rrëzimin e nismës në parim, duke e cilësuar të papërballueshme financiarisht dhe të papajtueshme me kuadrin ligjor ekzistues.