Promovohet libri “Me ty, për ty Bulqizë”

1315

Libri me poezi “Me ty, për ty Bulqizë” i autorit Arben Alliu është promovuar në Bulqizë. Libri është i pari për Alliun që në poezitë e tij shpreh motive që e marrin shtysën nga vetë përjetimet e tij, por edhe nga imazhe të gjalla dhe mbresa nga vendlindja.

Në promovim merrnin pjesë personalitete të shquara nga Bulqiza, por jo vetëm. “Shoqata Bulqiza” i akordoi ‘Certifikatë Mirënjohje’ për autorin dhënë nga Drejtuesi i Departamentit të Artit dhe Letërsisë, Dr. Jashar Demiri. “Shkrimi i një libri barazohet me lindjen e një fëmije dhe për Arbenin nga sot e në vazhdim do të ketë një anëtarë më shumë, duke uruar edhe për më shumë botime të tjera.” U shpreh Demiri në fjalën e rastit.

“Vlersimi që i bëhet familjes, atdheut, fëmijëve të tij dhe njerëzve që e ka bashkuar puna. Më vjen mirë dhe gëzohem, kur shikoj që po bëhet një punë kaq e mirë për Bulqizën.”  Deklaroi në fjalën e rastit Azis Keta, ushtarak i dalë në pension.

Në këtë promovim libri u bënë bashkë arsimtarët e dalë në pension, që i kanë dhënë mësim autorit të librit, biznesmen nga sektori minerar, gazetarët Defrim Methasani, Sami Curri, redaktoria e librit Fjoralba Sinoruka, Ferit Keta nga dinastia e boksit “Keta”, familjarë të Arbenit, mësues e nxënës nga Gjimnazi “Arbëria” në Bulqizë dhe qytetar.

“Njeriu i ka borxh vendlindjes. Dikush mund të bëjë një vepër, dikush një ndërtim, që janë një e mirë publike. Kjo ishte mundësia ime, me aq sa kisha. Për të folur për jetën në Bulqizë, realitetin e njerëzve të zakonshëm.” U shpreh në fjalën e rastit autori, Arben Alliu.

PARATHËNIA E LIBRIT NGA NAFIJE JELLA

Arben Alliu, vjen në botën e poezisë me lirikat e tij që mbartin në vetvete, motive që e marrin shtysën nga vetë përjetimet e tij, por edhe nga imazhe të gjalla dhe mbresa nga vendlindja. Brenda natyrës së poezive, janë të pranishme ndjenjat e sinqerta për çka ai shpreh dhe shkruan në poezi, që janë në funksion të ideve dhe mesazheve që transmetohen natyrshëm.

Arbeni u rrit me erën e malit, bujarinë e fushës, krenarinë e të qënurit bulqizak, kjo bëri që poezitë e tij të kenë aromën dhe gjurmët e vendlindjes. Ai e ndjen veten të lidhur ngushtësisht me Bulqizën, si bir i saj, dhe jo rastësisht disa poezi i kushtohen asaj, duke e cilësuar si mrekulli natyrore dhe parajsë nëntokësore, minatorin si hero me punën e përditshme, por dhe me nota dhimbje për të rënët në minierë.

Poeti prek edhe kohën e Skënderbeut dhe si përqasje në disa vargje poezish që kanë një ngarkesë emocionale dhe figuracion të pasur, vijnë në trajtën e heronjëve të vërtetë për nga forma dhe madhështia duke sjellë jehonën e fitoreve, si bijtë e Skënderbeut, kampionët e botës Ismail, Gjetan dhe Ferit Keta, si vlerë kombëtare dhe mbarshqiptare. I thur vargje plot mite një vajze bulqizake, si mishërim i bukurisë dhe besnikërisë së saj, dashurinë për vajzën që e don pranë, mallit për të kur i mungon.

Arbeni e sheh veten të lidhur shpirtërisht me vendet e shenjta, Teqja e Madhe, figurën aq të dashur të shenjtorit Caush Cangës që jetësohet me realizëm në poezi me tiparet dhe karakteristikat e tij. Secila poezi pasqyron një pikë të jetës. Poezitë rrjedhin lirshëm, kanë thjeshtësinë në ndërtimin e vargut, realizimin në të shprehur dhe të shkruar, që vijnë si provë krijuese në rrugën e bukur të poezisë për Arbenin.

Nafije Jella ka punuar për shumë vite si mësuese e lëndës së letërsisë në Bulqizë.

Galeri me foto nga promovimi i librit “Me ty, për ty Bulqizë”. Foto shkrepur nga Mahir Jangulli.