PROFILI/ Ilir Beqaj, pas ‘Shëndetësisë falas’, në krye të ‘maleve të Dibrës’

680
Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë në mandatin e parë të qeverisë “Rama” dhe deputet i qarkut Dibër 2017-2021. Foto LSA

VËZHGIM – Nga bulqizaime.al

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të jetë në krye të listës së kandidatëve të PS në qarkun Dibër. Prej kohësh Ilir Beqaj është vënë në qendër të vëmendjes dhe është akuzuar nga opozita për korrupsion dhe abuzime në dhënien e koncensioneve. Mund të themi që është ndër ministrat më të sulmuar e më të kritikuar të qeverisë Rama. Por cila është historia e Ilir Beqaj në PS, pëpara se ai të bëhej ministër?

Ilir Beqaj ka qenë kryesuesi i listës së deputetëve të Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 2009-ës. Deputeti Beqaj u akuzua se përfitoi fonde publike.

Kështu Partia Demokratike e paditi në Gjykatë deputetin e Partisë Socialiste të qarkut të Shkodrës, duke e akuzuar se kishte shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke përfituar 24 milionë nga Bashkia Durrës, ndërsa kishte mandat që prej 1 gushtit 2009.

Dhe në vitin 2011 Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Ilir Beqajt, duke u bërë kështu deputeti i pare, mandati i të cilit u hoq nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Kompania “Intech +”

Kompania “Intech +”, brenda një kohe të shkurtër ka përfituar nga tenderimet publike një shumë rreth 11 milion dollarë. Ilir Beqaj ka qenë aksioner kryesor i kompanisë Intech +, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj i ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër. Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Shumëkush e mban mend që “Intech +” i’a dogji mandatin deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike nga bashkia e Durrësit. Dokumenti i regjistrimit në QKR që tregon pronësinë mbi kompaninë Itech +. Më 9 shtator 2013, Ilir Beqaj i shiti aksionet e tij, 51 përqind, në shumën e afërsisht 120 mijë eurove. Me këtë akt, kompania Intech + i kishte duart e lira të përfitonte nga tenderat publikë dhe ministri ishte formalisht në rregull, thuhet në një investigim të rrjetit televiziv Abcneës.

Kompania ku kishte qenë pronar ish – ministri i Shëndetësisë Beqaj, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion dollarëve nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Gjatë vitit 2015, “Inthech +” ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj. Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ish – ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar “e albania”. Gjithsej rreth 3 milionë dollarë.

Beqaj dhe shëndetësia në Dibër

Bulqiza ime e ka trajtuar disa herë gjendjen skandaloze të Spitalit të Bulqizës, ku në katër vite është investuar shumë pak. Të mos flasim pastaj për mungesën e mjekëve specialistë. Pavioni i pediatrisë është raportuar disa herë, për kushtet e vështira në të cilat ndodhet. Duke filluar që nga kaseta elektrike që është lënë e hapur, mungesa e ngrohjes nëpër dhoma dhe e shtretërve, ku pacientët e vegjël të Bulqizës nuk arrijnë të marrin shërbimin që kanë nevojë. Por jo vetëm ky pavion, por i gjithë Spitali i Bulqizës ka probleme të shumta.

Situata paraqitet e rënduar edhe në Spitalin e Peshkopisë, si më i rëndësishmi për të gjithë qarkun. Prej vitesh lënë jashtë investimeve. Gjithashtu e njëjta situatë paraqitet edhe në Burrel.

Nga ana tjetër, qendrat shëndetësore në Dibër, vazhdojnë në rrugën e harresës së rilindjes në shëndetësi.

Por edhe pse me të tillë dështime në shëndetësinë dibrane, Beqaj do të kërkojë votëbesimin e dibranëve.

Profili i Ilir Beqaj

Ilir Beqaj u lind në Tiranë, më 18 shkurt 1968. Në vitin akademik 1999 – 2000, ka kryer studimet pasuniversitare për Administrim Ndërmarrje, në In­stitutin Francez të Menaxhimit pranë Universitetit Po­liteknik Tiranë.

Ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1985 – 1990, ku është diplo­muar për informatikë.

Në vitet 1990 – 1993 ka punuar në Bankën e Shqipërisë në detyrën e Specialistit të Informatikës e gjithashtu gjatë viteve 1993 – 1994 ka punuar në Njësinë e Informacionit Fiskal po në këtë Bankë. Gjatë periudhës 1994 – 2006, z. Beqaj ka punuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në detyra të ndryshme. Gjatë viteve 2003-2006, ka punuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit.

Është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës në legjislaturën 2009 – 2013. Në zgjedhjet e fundit Parlamentare të 2013-s zgjidhet Deputet i Kuvendit të Shqipërisë i Qarkut Durrës.

Prej 2007-s është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Në periudhën 2007 – 2011 ka kryer detyrën e nënsek­retarit për programin në Partinë Socialiste.

Nga viti 2011 është anëtar i Kryesisë së kësaj partie, si dhe Sekretar për programin në Partinë Socialiste.

Ilir Beqaj në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Shëndetësisë i Shqipërisë.