Presidenti dekreton datën për zgjedhjet e pjesshme lokale

671
Një qytetar duke votuar në Bulqizë më 25 prill 2021. Foto: Bulqizaime.al

Më 6 mars 2022 do të mbahen zgjedhje të pjesshme vendore për kryetarët e bashkisë në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Presidenti Meta njoftoi të enjten në mëngjes se kishte dekretuar datën e zgjedhjeve, pasi kishte administruar informacionin zyrtar për vakancat në pushtetin vendor. “Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë,” shkroi Meta në Facebook.

Dekreti i Metës është i vonuar, pasi Kodi Zgjedhor sanksionon se zgjedhjet mbahen “jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.  Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anulluar me dekret.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i marrë në nëntor 2021 rrëzoi kërkesën e shoqatës së bashkive për shfuqizimin e këtyre zgjedhjeve. Vendimi nuk kënaqi pritshmëritë e presidentit, i cili sulmoi anëtarët e saj për “mungesë përgjegjshmërie”.

Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.

Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.