Pranoi mandatin e deputetit, Halil Jakimi përjashtohet nga Partia Demokratike

2105
Halil Jakimi. Foto: Profili në Facebook

Një ndër emrat që nuk pranoi të linte mandatin e deputetit nga lista e Partisë Demokratike në Dibër, ishte kandidati i renditur i gjashti, Halil Jakimi. Pak ditë më parë Jakimi dorëzoi formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe pritet të marrë mandatin e deputetit. Koordinatori i Partisë Demokratike për qarkun Dibër, Kreshnik Çollaku ka mbledhur strukturat lokale të Partisë Demokratike në Bulqizë. Çollaku tha se kryesia e PD Bulqizë, ka zhveshur nga çdo funksion politik Halil Jakimin.

Kreshnik Çollaku. Foto: Profili në Facebook

“Ka pasur një mbledhje jashtë radhës së Këshillit të Partisë Demokratike në Bulqizë, ku është diskutuar në mënyrë të posaçme pranimi i mandatit nga Halil Jakimi. Nuk është një ngjarje e këndshme për strukturat e PD-së dhe për demokratët e Bulqizës. Përfaqësuesit dhe anëtarët e kryesisë së degës së PD në Bulqizë, duke shprehur jo vetëm mendimin e tyre, por mendimin dhe vullnetin e strukturave në bazë, mbështetësit; kanë qenë në një mendim në dënimin që i kanë bërë këtij akti, të pa përgjegjshëm dhe tërsisht individual. Duket qartë se ky është akt i një korrupsioni politik. Vendimi i kryesisë së degës së PD-s në Bulqizë është shkarkimi i menjëhershëm nga çdo funksion politik i Jakimit dhe propozimin tek kryesia qendrore për përjashtimin e tij nga anëtarësia e Partisë Demokratike.” U shpreh Çollaku në një prononcim për Bulqiza Televizion.

Pas betimit të Jakimit që pritet të bëhet në seancën e radhës, numri i deputetëve në Kuvend i kalon 100.

Pak javë më parë, Aurora Mara nga lista e LSI-së për Dibrën, pranoi marrjen e mandatit lënë nga ish-deputeti Përparim Spahiu, duke e çuar në 2 numrin e deputetëve opozitar nga qarku i Dibrës që kanë marrë mandatin.

/bulqizaime.al/