Një aksion policor i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ka çuar në ndërprerjen e transmetimit të televizionit News 24 dhe bllokimin e punës së redaksive që ndodhen në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen “Shkozë” të Tiranës.
Sipas raportimeve të gazetës Panorama, pjesë e të njëjtit grup mediatik, rreth orës 07:00 një numër i konsiderueshëm efektivësh policie mbërritën në godinë, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e ambienteve ku aktualisht ndodhen News 24, portali BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Punonjësit e medias nuk u lejuan të futeshin në ndërtesë, ndërsa energjia elektrike u ndërpre. Në orën 07:36, sinjali i News 24 u fik plotësisht.
Televizioni News 24 u themelua në vitin 2002 si kanali i parë informativ 24-orësh në Shqipëri, duke ofruar transmetim të vazhdueshëm lajmesh dhe zhvillimesh aktuale nga vendi dhe bota.
Veprimi lidhet me një vendim të qeverisë së datës 12 mars 2025, që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kompanisë shtetërore KAYO, e themeluar në vitin 2024 për prodhimin dhe tregtimin e armëve. Grupi mediatik që zotëron News 24 është qiramarrës afatgjatë në këtë objekt.
Në një deklaratë publikuar në rrjetet sociale, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e cilësoi ndërhyrjen një “shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes”.
“Ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë,” thuhet në reagim. AGSH i bëri thirrje institucioneve të ndalojnë menjëherë aksionin dhe t’u garantojnë gazetarëve qasje në vendin e punës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) reagoi pas ndërhyrjes së forcave të shumta të Policisë së Shtetit në ambientet e News 24 dhe grupit mediatik Panorama Group, pjesë e kompanive Media Focus Group dhe Panorama Group. Sipas UGSH, policia dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore hynë në objekt me pretendimin për ta liruar, duke argumentuar se i përket një subjekti shtetëror, ndërkohë që drejtuesit e medias e kanë përdorur me qira prej dekadash. Organizata shprehu shqetësim për pengimin e punës së gazetarëve dhe ndërprerjen e transmetimit të një kanali informativ me rëndësi kombëtare, duke kujtuar se çështja ka pasur konflikte gjyqësore të mëparshme. UGSH kërkoi nga autoritetet që të mos bllokojnë ushtrimin e detyrës së gazetarëve dhe deklaroi se mbeten të shqetësuar për mbrojtjen e lirisë së medias.

Mentor Kikia, gazetar, e quajti operacionin “një demonstrim force nga ana e shtetit”, duke kujtuar sulmet e qeverisë së Berishës ndaj mediave në vitet 1995–1997 dhe 2005–2010.
“Rrethimi i një redaksie me forca të shumta policie, si të ishte vendngjarje kriminale, është një pamje trishtuese,” shkroi ai, duke vënë në pikëpyetje nëse kishte vendim gjykate apo urgjencë shtetërore që justifikonte veprimin.
Lutfi Dervishi e përshkroi ekranin e fikur të News 24 si “simbol i heshtjes së imponuar” dhe ngriti një sërë pyetjesh mbi bazën ligjore, procedurat e ndjekura dhe komunikimin paraprak me median.
“Kur mbyllet një media, nuk humb vetëm ajo, humbet e drejta jote për t’u informuar. Sot është News 24, nesër mund të jetë zëri yt,” paralajmëroi ai.
Osman Stafa, gazetar në News 24, e quajti situatën “diktaturë”:
“Rreth 200 punonjës nuk janë lejuar sot të hyjnë në vendin e tyre të punës. Nuk janë lejuar as të transmetojnë këtë që po ndodh. Kjo nuk është më as censurë — kjo është diktaturë.”
Në Shqipëri, ndërhyrjet ndaj mediave nuk janë një fenomen i ri, pasi edhe televizione të tjera si Agon Channel dhe RTV Ora janë mbyllur në mënyrë të dhunshme nga autoritetet, duke nxitur debate për respektimin e standardeve demokratike. Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare si Reporterët pa Kufij dhe Freedom House, vendi ka shënuar përkeqësim të dukshëm në treguesit e lirisë së medias, me raste të përsëritura presioni politik, censurë dhe pengese të punës së gazetarëve.









