Policia gjen parcelë me 1800 bimë kanabis në Okshtun

1103
Pamje nga operacioni i Policisë në malin e Okshtunit, ku u zbulua parcela me rreth 1800 bimë të dyshuara si kanabis. Burimi: DVP Dibër

Një parcelë me rreth 1800 fidanë dhe bimë të dyshuara si kanabis është zbuluar nga policia në një zonë të thellë malore në fshatin Okshtun të Bulqizës. Kjo parcelë u zbulua gjatë një operacioni që po zhvillohet prej ditësh, në kuadër të goditjes së kultivimit të bimëve narkotike.

Si pjesë e këtij operacioni, të koduar “Koordinata”, është arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar me inicialet A.K., banues në Fushë-Krujë. Sipas burimeve zyrtare nga policia, në të njëjtin rast është shpallur në kërkim edhe një tjetër i ri, A.Z., 21 vjeç, gjithashtu nga Fushë-Kruja, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet.

Sasia e bimëve narkotike u asgjësua në vend përmes djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua si provë materiale. Operacioni vijon me kontrolle të tjera në territor, ndërkohë që strukturat hetimore po punojnë për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti të paligjshëm.

Raste të tilla janë të përsëritura në zonën e Bulqizës, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të vitit kur zakonisht nis edhe sezoni i kultivimit të bimëve narkotike. Terreni i thyer malor dhe zonat e largëta nga kontrolli i përhershëm i institucioneve i bëjnë këto hapësira të favorshme.