Policia e Dibrës lë në fuqi gjobën selektive ndaj Elton Debreshit

Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në policinë e Dibrës la në fuqi vendimin e gjobitjes nga policia e Bulqizës të kandidatit për deputet Elton Debreshi për shkelje të masave ndaj pandemisë. Një masë që u zbatua veçanërisht për të dhe jo për garuesit e tjerë në zonën e Dibrës që po ashtu organizuan tubime.

879
Kandidati i pavarur, Elton Debreshi në takimin për të cilin u gjobit nga Policia e Shtetit. Foto: Sami Curri

Policia e Dibrës la në fuqi të mërkurën gjobën prej 5 milionë lekësh ndaj kandidatit të pavarur, Elton Debreshi për shkeljen e masave anti-COVID

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi në fillim të muajit prill ishte gjobitur me 5 milionë lekë për organizim të një tubimi më 26 mars në Bulqizë.

Gjoba ishte vendosur për shkelje të kufizimeve mbi numrin e pjesëmarrësve në tubime, bazuar në një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili prej muajsh shkelet haptazi dhe pa ndëshkim nga partitë politike, përfshi edhe vetë kryeministrin Edi Rama dhe ministren që e ka firmosur.

Nga Drejtoria e Policisë Dibër bëhet me dije për BIRN se Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, ka vendosur lënien në fuqi të gjobës së vendosur nga Policia e Bulqizës.

Gentian Serjani, avokati përfaqësues i Elton Debreshit në komision i tha BIRN se gjoba ishte e paligjshme për sa kohë që akti i Komitetit të Ekspertëve është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i ri ishte publikuar në fletore zyrtare dy ditë pas tubimit.

“Për aq kohë sa nuk kemi një akt të publikuar në fletoren zyrtare do të thotë se nuk e kemi të ligjshëm.” u shpreh Serjani.

Gjoba ndaj Debreshit është një tjetër tregues i standardeve të dyfishta në trajtimin e rasteve të ngjashme nga policia. Shtabet elektorale të PS dhe PD në Dibër konfirmuan për BIRN se gjatë gjithë fushatës elektorale nuk kishin marrë gjoba, ndonëse kanë publikuar në faqet e tyre materiale filmike të tubimeve të organizuara në shkelje të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Serjani tha se do të ndiqen hapat e tjerë ligjorë për apelimin e këtij vendimi të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në DV Dibër, por gjithashtu edhe tek monitoruesit ndërkombëtar të zgjedhjeve. Ai tha se vendimi do të kundërshtohej në Gjykatë Administrative të Shkallës së Parë.  “Gjithashtu do të dërgojmë një ankesë edhe tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi  pasi e shohim se është trajtuar në mënyrë të pabarabartë, krahasuar me subjektet politike të tjera. Bashkë ishim në komision edhe dy vëzhgues nga OSBE.” tha  Serjani.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 633 të nëntorit 2020, është shkelur masivisht prej përfaqësuesve politikë të gjitha partive, përfshi kryetarët e tyre dhe madje nga vetë ministrja e Shëndetësisë. Megjithatë numri i gjobave për këto raste shkeljesh ka qenë minimal, duke rënduar më shumë përfaqësues të opozitës.

Gjykata Kushtetuese në një vendim të datës 9 mars 2021 e cilësoi të drejtë kufizimin e numrit të pjesëmarrësve në takime, por i kërkoi Komitetit të Ekspertëve dhe autoritetit përgjegjës që të përcaktonte afate për zgjatjen e tij. Prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Shëndetësisë e ka zgjatur afatin e kufizimit.

Debreshi ka marrë sipas KQZ  580 vota në zgjedhjet e fundit në Dibër, në një garë jo të barabartë përballë 3 partive kryesore në vend dhe në një nga qarqet me një histori problemesh sa i përket lirisë së votës.