Policia e Dibrës arreston katër shpërndarës droge dhe shpall në kërkim një tjetër

2914
Foto ilustruese

Pas realizimit të operacionit policor të koduar “Eklipsi” policia gjeti një sasi dozash me kokainë dhe 500 doza cannabis sativa për shpërndarje. Gjithashtu u sekuestruan dy automjetet me të cilat këta shtetas qarkullonin dhe shpërndanin lëndën narkotike, si dhe 8 aparate celular.   

“Pas një hetimi të mirëfilltë tremujor, bazuar në provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Eklipsi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. K., 21 vjeç, E. N., 24 vjeç, E. Sh., 40 vjeç dhe K. K., 36 vjeç, të gjithë banues në Peshkopi.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Policia njoftoi se po vijon puna për kapjen e shtetasit T.T, 23 vjeç, shpallur në kërkim policor.

Personat e arrestuar në një lokal në qytetin e Peshkopisë, shpërndanin doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, në zona të ndryshme të qarkut Dibër.

Ky operacion i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. 

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.