Policia Bashkiake drejt riorganizimit, drafti parashikon strukturë qendrore dhe drejtori vendore

509
Foto ilustruese

Një projektligj i ri për Policinë Bashkiake është hedhur për konsultim publik, duke synuar riorganizimin e policisë vendore dhe vendosjen e standardeve të unifikuara në të gjitha bashkitë e vendit. Drafti parashikon krijimin e një strukture të centralizuar në nivel qarku dhe drejtorive vendore në bashki, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe koordinimit institucional.

Sipas projektligjit, Policia Bashkiake do të ketë status të veçantë si institucion i administratës publike, me mision garantimin e sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, administrimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e mjedisit. Organizimi i ri ndahet në dy nivele: Drejtoria e Përgjithshme në nivel qarku dhe Drejtoritë Vendore në bashki, ndërsa ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike do të nxjerrë udhëzime të detyrueshme për unifikimin dhe standardizimin e procedurave.

Projektligji zgjeron dhe detajon kompetencat e Policisë Bashkiake në trajtimin e problematikave të përditshme, përfshirë masat ndaj zhurmave, kontrollin e ndalimit të duhanit në transportin publik dhe ambientet e përbashkëta, ruajtjen e hapësirave publike, parqeve, lulishteve dhe monumenteve kulturore.

Një rol i veçantë i jepet edhe evidentimit të ndërtimeve të kundërligjshme, ku punonjësit e Policisë Bashkiake detyrohen të njoftojnë strukturat urbanistike të bashkisë ose inspektoratin përkatës për vijimin e procedurave ligjore.

Në kuadër të rendit dhe sigurisë publike, punonjësit e Policisë Bashkiake do të kenë të drejtë të verifikojnë identitetin në rastet e kundërvajtjeve administrative ose kur ka dyshime për cenim të rendit, si dhe të kërkojnë mbështetjen e Policisë së Shtetit në situata të caktuara.

Drafti parashikon gjithashtu ndërhyrjen e Policisë Bashkiake në raste emergjencash, fatkeqësish natyrore apo aksidentesh, duke i dhënë kompetencë për bllokimin e përkohshëm të rrugëve ose mjediseve publike brenda juridiksionit të bashkisë.

Projektligji, i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria për Pushtetin Vendor, rregullon edhe procesin e rekrutimit të punonjësve. Vendet e lira do të shpallen në një portal unik, ndërsa kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit, testimit me shkrim, testit fizik dhe intervistës, me një vlerësim maksimal prej 100 pikësh. Lista e fituesve do të jetë e vlefshme për një periudhë njëvjeçare.

Objektivi kryesor i këtij drafti është unifikimi i funksioneve të Policisë Bashkiake në rang kombëtar, qartësimi i kompetencave në terren dhe forcimi i koordinimit me institucionet e tjera për rritjen e rendit dhe sigurisë në komunitet.