
Policia ka goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në doza në Burrel.
Sipas njoftimit nga DVP Dibër, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, gjatë kontrolleve kanë evidentuar dhe dokumentuar një rast të shpërndarjes së kanabisit në doza.
Policia ka arrestua një person me inicialet F.P., 38 vjeç, banues në fshatin Suç, Klos. Sipas policisë, ai u kap në ambientin e punës së tij, një lokal bilardoje, ku dyshohet se ushtronte aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë i gjetën atij 19 doza kanabisi të përgatitura për shitje, të cilat u sekuestruan së bashku me celularin e tij, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.








