Procedura e prokurimit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe impiantit të trajtimit për qytetin e Peshkopisë, është kaluar në statusin “Pezulluar” në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP).
Tenderi me fond limit 1,025,380,481 lekë pa TVSH, ose rreth 10.78 milionë euro, është shpallur nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër sh.a., ndërsa sipas informacioneve të publikuara në sistem, pezullimi lidhet me ankesat e paraqitura në kuadër të procedurës së prokurimit nga operatorët.
Sipas legjislacionit shqiptar për prokurimet publike, kur paraqitet një ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), procedura pezullohet deri në shqyrtimin dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. Vetëm pas këtij vendimi përcaktohet nëse tenderi do të vazhdojë normalisht, do të rishikohet apo, në raste të veçanta, do të anulohet.
Projekti parashikon ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Peshkopisë, me një afat realizimi prej 18 muajsh.
Sipas projektit teknik, impianti është projektuar për t’i shërbyer rreth 27,800 banorëve, duke trajtuar mesatarisht afro 4,800 metra kub ujëra të ndotura në ditë, ndërsa në periudhat me prurje të larta kapaciteti arrin deri në 140 litra në sekondë.
Impianti është planifikuar të ndërtohej pranë Përroit të Lixhave, ndërsa ujërat e trajtuara do të shkarkoheshin në këtë përrua, i cili më pas derdhet në lumin Drini i Zi. Për këtë arsye, projekti ishte konceptuar sipas standardeve të legjislacionit shqiptar dhe atij evropian për trajtimin e ujërave të ndotura, duke synuar uljen e ndotjes organike, të azotit dhe fosforit përpara shkarkimit në mjedis.
Relacioni teknik parashikon përdorimin e teknologjisë së llumit aktiv, ndërtimin e një stacioni pompimi me katër pompa, dy njësi të paratrajtimit, rezervuar stabilizimi me kapacitet rreth 2 mijë metra kub, si dhe sisteme moderne ajrimi për procesin biologjik të pastrimit.
Duke pasur parasysh përmasat e projektit dhe ndikimin e tij mjedisor, nuk ka dijeni publike që përpara prezantimit të këtij investimi të jenë zhvilluar dëgjesa të hapura me banorët e Peshkopisë apo grupet e interesit.
Dokumentet teknike tregojnë se projekti për rrjetin e kanalizimeve të Peshkopisë kishte parashikuar ndërtimin e mbi 63 kilometra tubacione, konkretisht 40.4 kilometra rrjet kryesor dhe 22.9 kilometra lidhje dytësore për banesat dhe bizneset. Projekti përfshinte gjithashtu 1,822 puseta kontrolli, 1,822 seksione tubacionesh, 1,908 lidhje me pronat dhe 3 pika shkarkimi,
Edhe pse bëhet fjalë për një pezullim procedural dhe jo për anulim të projektit, vonesa shtyn në kohë nisjen e punimeve.










