Përkeqësohet situata në Lurë, zjarri afrohet te banesat; mbi 200 hektarë të përshkuar nga flakët

188
Prej katër ditësh masivi pyjor i Lurës vijon të përballet me një situatë të rëndë zjarri

Prej katër ditësh masivi pyjor i Lurës vijon të përballet me një situatë të rëndë zjarri, ndërsa flakët janë afruar ndjeshëm me zonat e banuara, veçanërisht mbi lagjen “Koçekë”, duke detyruar banorët dhe strukturat e emergjencave të përqendrojnë përpjekjet në mbrojtjen e banesave.

Temperaturat e larta, era dhe mbi të gjitha terreni i thyer dhe i pjerrët malor kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen nga toka. Në pjesët më të thella të masivit, mjetet zjarrfikëse nuk mund të depërtojnë, ndërsa forcat në terren po detyrohen të përdorin pompa shpine dhe mjete të tjera për të luftuar vatrat e zjarrit.

Sipas Prefektit të Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, deri tani zjarri ka përshkuar mbi 200 hektarë sipërfaqe, kryesisht kullosore, por edhe pyjore. Ai tha se vatra është përhapur fillimisht në një zonë me bar dhe pyll të degraduar, çka ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.

“Që nga data 11 kemi pasur situatë të agravuar të zjarrit. Janë gati mbi 200 hektarë sipërfaqe pyjore, më shumë kullosore, por edhe pyjore, që është përshkuar nga zjarri”, deklaroi Shehu.

Mbi 200 forca në terren

Në operacion janë angazhuar çdo ditë më shumë se 200 persona, mes tyre forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë Dibër dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura, Forcat e Armatosura, Policia, Emergjencat Civile, vullnetarë dhe banorë të zonës.

Sipas prefektit, vetëm Forcat e Armatosura kanë pasur mbi 50 efektivë në terren, ndërsa ndërhyrja është organizuar në mënyrë të vazhdueshme, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave.

“Prioriteti i parë ka qenë në radhë të parë të ruajmë ndërtesat, jetën e banorëve, të cilën ia kemi arritur, meqenëse direkt pas nesh janë qendrat e banuara dhe zjarri është në sipërfaqet mbi qendrat e banuara”, tha Shehu.

Por situata mbetet dinamike. Flakët janë afruar në drejtim të lagjes “Koçekë”, ndërsa janë parë edhe në drejtim të Kishës së Fushë-Lurës, duke shtuar shqetësimin për banorët dhe objektet që ndodhen pranë zonave të përfshira nga zjarri.

Gjatë natës, sipas deputetes së qarkut Dibër, Denisa Vata, ndërhyrja është përqendruar edhe te banesat. Ajo ka bërë të ditur se rreth orës 02:00 janë shpëtuar nga flakët dy banesa, të familjeve Koçeku dhe Dodgjini.

Banorët thonë se situata është e pazakontë për përmasat e saj. Një banor rreth 70 vjeç është shprehur se nuk e mban mend që zona të jetë përballur më parë me një zjarr të këtyre përmasave.

Tymi i dendur ka mbuluar një pjesë të zonës, duke krijuar vështirësi për banorët, ndërsa përhapja e tij është raportuar edhe në zona përtej Lurës, në drejtim të Malit të Dejës, Macukullit dhe Gjocajt.

Terreni, pengesa kryesore për ndërhyrjen

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Dibër, Leonard Topuzi, ka theksuar vështirësinë e ndërhyrjes në terren. Në pjesët malore, mjetet e rënda nuk mund të afrohen dhe puna kryhet kryesisht nga këmbësorët.

Edhe Prefekti Shehu e cilëson terrenin si faktorin kryesor që po pengon izolimin e shpejtë të zjarrit.

“Terreni është shumë i vështirë. Nuk futen mjetet. Ne vetëm fusim ushtarët dhe zjarrfikësit me pompa shpine. Sipër në mal nuk arrijnë të futen zjarrfikësit”, tha ai.

Sipas tij, materiali i thatë dhe bimësia e degraduar po e ushqejnë vazhdimisht zjarrin. Për shkak të pjerrësisë së madhe, materialet që digjen mund të rrokullisen poshtë dhe të krijojnë vatra të reja, duke e bërë të vështirë izolimin përfundimtar.

“Ka drurë të thatë, ka materiale të degraduara që digjen, shkojnë tre-katër ditë, ato rrokullisen se territori është shumë i pjerrët dhe është e pamundur të eliminohet kjo vatër zjarri”, u shpreh Shehu.

Ndërhyrja nga ajri, dy avionë në operacion

Për përballimin e situatës është aktivizuar edhe ndërhyrja nga ajri. Sipas Prefektit të Dibrës, prej katër ditësh janë në dispozicion dy avionë me kapacitet të madh, të cilët kryejnë hedhje uji mbi vatrat më problematike.

Shehu tha se ditën e sotme të dy avionët kanë kryer hedhjet e para kryesisht mbi zonën e Koçekut, ku flakët rrezikojnë t’u afrohen banesave.

Ndërhyrja ajrore është një prej mjeteve kryesore për të frenuar përparimin e flakëve në terrenet ku zjarrfikësit nuk mund të hyjnë. Megjithatë, kohëzgjatja dhe ritmi i ndërhyrjes nga ajri kanë ngritur pikëpyetje edhe për efikasitetin e këtij operacioni.

Në zonën e Kukësit, avionët që angazhohen në shuarjen e zjarreve përdorin aeroportin për furnizim me ujë, ndërsa në gatishmëri qëndrojnë autobote dhe personel zjarrfikës për mbështetjen e operacionit. Kjo mënyrë operimi kërkon një zinxhir të tërë logjistik, nga furnizimi me ujë deri te kthimi i avionëve në zonën e zjarrit.

Pikërisht për këtë arsye, përtej numrit të avionëve të angazhuar, mbetet e rëndësishme koha që nevojitet për çdo rimbushje, numri i hedhjeve që mund të kryhen gjatë një periudhe të caktuar dhe kapaciteti real i ujit që arrin të hidhet mbi vatër. Në një terren si Lura, ku zjarri përhapet në zona të thepisura dhe larg rrugëve të aksesueshme, ritmi i ndërhyrjes nga ajri mund të jetë vendimtar për izolimin e vatrave.

A mjaftojnë masat parandaluese?

Përmasat e zjarrit kanë rikthyer në vëmendje edhe masat parandaluese përpara sezonit të zjarreve.

Prefekti Shehu tha se strukturat janë marrë me masat parandaluese që prej pranverës, duke e lidhur këtë edhe me faktin se Lura është përballur me zjarre të ngjashme gjatë viteve të fundit.

Parku Kombëtar i Lurës shtrihet në një territor shumë të gjerë dhe, sipas Shehut, kontrolli i plotë i tij është i vështirë për shkak të lëvizjes së banorëve, turistëve dhe personave që hyjnë në territor për kullota apo për mbledhjen e bimëve medicinale.

Ai bëri apel për më shumë kujdes nga banorët dhe vizitorët dhe për njoftimin në kohë të çdo vatre zjarri.

“Parku është shumë i madh. Këtu ka lëvizje njerëzish, ka turistë, ka banorë, ka njerëz që shfrytëzojnë bjeshkët, shfrytëzojnë bimë medicinale dhe është e pamundur”, tha ai.

Sipas tij, edhe rreth një muaj më parë në park ishte evidentuar një vatër zjarri, e cila ishte kapur në kohë dhe ishte eliminuar.

Këtë herë, situata ka qenë ndryshe. Vatra është shfaqur në një lartësi dhe terren ku ndërhyrja ka qenë shumë më e vështirë, ndërsa bimësia e thatë ka favorizuar përhapjen.

Tre persona nën hetim për “shpërdorim detyre”

Paralelisht me operacionin për shuarjen e zjarrit, Policia e Dibrës ka nisur edhe hetimet për përgjegjësinë institucionale lidhur me mbrojtjen e territorit të Parkut Kombëtar.

Tre persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Bëhet fjalë për shefin e monitorimit të Parkut Kombëtar të Lurës dhe dy roje mjedisi.

Sipas policisë, këta persona dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit që kishin nën përgjegjësi.

Policia thotë se si pasojë e këtyre veprimeve ose mosveprimeve janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e autorit ose autorëve të zjarrit. Nëse do të provohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht, hetimi pritet të zgjerohet edhe në drejtim të përgjegjësisë penale për personat që mund të kenë vënë zjarrin.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të pandërprerë

Deputetja e qarkut Dibër, Denisa Vata, ka kërkuar ndërhyrje më të madhe shtetërore, duke e cilësuar situatën në Lurë si emergjencë.

Sipas saj, banorët janë detyruar të hapin kanale dhe të përpiqen me mjetet e tyre të mbrojnë banesat nga përparimi i flakëve. Vata ka kritikuar kohëzgjatjen e kufizuar të ndërhyrjes nga ajri dhe ka kërkuar operacion të vazhdueshëm me forca tokësore dhe ajrore.

Situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të afërsisë së zjarrit me qendrat e banuara. Për momentin, prioriteti i strukturave në terren mbetet shmangia e prekjes së banesave dhe garantimi i sigurisë së banorëve.

Në të njëjtën kohë, një tjetër shqetësim lidhet me dëmin mjedisor. Lura është një prej zonave më të rëndësishme natyrore të Dibrës dhe përfshirja e qindra hektarëve në flakë rrezikon të shkaktojë dëme të konsiderueshme në ekosistemin pyjor.

Operacioni vijon nga toka dhe ajri, ndërsa kushtet atmosferike dhe terreni do të jenë përcaktues për ecurinë e tij në orët në vijim.

Pavarësisht se deri tani banesat janë mbrojtur dhe nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar nga zjarri, afrimi i flakëve me zonat e banuara e ka kthyer situatën në një emergjencë të drejtpërdrejtë për komunitetin e Lurës.

Me mbi 200 hektarë të përshkuar nga zjarri dhe vatra ende aktive në terrenin malor, sfida kryesore mbetet izolimi i plotë i flakëve përpara se ato të përhapen në sipërfaqe të tjera pyjore apo të afrohen më tej me banesat.

REKLAMË