Pas 7 muajsh zvarritje të punimeve, asfaltohet rruga 1.2 km Vajkal–Dragu

1312
Rruga që lidh fshatin Vajkal me qendrën e fshatit Dragu në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Punimet për ndërtimin e rrugës që lidh fshatin Vajkal me qendrën e fshatit Dragu në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, pas afro 7 muajsh zvarritje të punimeve u përmbyllën me shtrimin e shtresës asfaltike. Megjithatë, një pjesë e punimeve mbetet ende e papërfunduar, përfshirë vendosjen e sinjalistikës dhe sistemimin e anësoreve.

Procedura e prokurimit për këtë projekt u hap më 8 tetor 2024, dhe më 2 dhjetor 2024 u shpall fituese kompania “Radika” me një ofertë prej 12.697.771 lekë pa TVSH (rreth 130 mijë euro). Sipas dokumentacionit teknik, rruga ka një gjatësi prej 1.2 kilometrash, klasifikuar si rrugë lokale e kategorisë F. Ku përfshihen ndërtimi i shtresave me stabilizant, asfaltimi si edhe vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Sipas një përgjigjeje zyrtare të dërguar nga Bashkia Bulqizë më 13 qershor 2025 për Bulqizaime.al, punimet në terren për ndërtimin e kësaj rruge kanë nisur më 7 janar. Në njoftimin zyrtare, nga bashkia Bulqizë thuhet se shkak për ndërprerjen e punimeve ishin kushtet e pafavorshme të motit gjatë stinës së dimrit.

“Sikundër periudha e dimrit ishte jo e favorshme për realizimin e betoneve dhe shtresave asfaltike (që përbëjnë zërat kryesorë të preventivit), punimet u pezulluan dhe rifilluan sërish në prill 2025,” thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Gjithashtu, gjatë zbatimit të projektit u bë një ndryshim teknik në zonën e përroit, ku fillimisht ishte planifikuar një tombino rrethore. Sipas Bashkisë, “bazuar në kërkesat verbale të banorëve të zonës, u vendos që kalimi i përroit të bëhej me box b/a,“ një zgjidhje më e qëndrueshme për përballimin e prurjeve.

Rruga që lidh fshatin Vajkal me qendrën e fshatit Dragu në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

“Ndërtimi i këtij elementi kërkoi kohë shtesë, pasi pas përfundimit të soletës së box-it duhej pritur 28 ditë që betoni të arrinte rezistencën maksimale, në përputhje me Kushtet Teknike Shqiptare, në menyrë që të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë mbi të, si rruli apo asfaltoshtruesja.” thuhet në qëndrimin e bashkisë.

Më 23 qershor 2025, nga vëzhgimi në terren konfirmohet se rruga është shtruar me asfalt, por pjesë të rëndësishme të projektit ende mungojnë. Nuk janë vendosur sinjalistika horizontale dhe vertikale, ashtu siç është parashikuar pranë zonave të banuara dhe shkollës, ndërsa anësoret nuk janë mbushur me çakull, duke e bërë të vështirë shkëmbimin e mjeteve në disa segmente.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, ka publikuar foto nga rruga e asfaltuar Vajkal–Dragu, duke e cilësuar projektin si një investim të rëndësishëm për komunitetin lokal. “Ky investim, i kërkuar prej kohësh nga qytetarët dhe i premtuar se do të realizohej, sjell një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e jetesës për banorët,” thuhet në postimin e Mjeshtrit. Sipas saj, në vijim do të nisë edhe faza tjetër e punimeve, që do të mundësojë lidhjen e plotë të fshatit Dragu me qendrën e njësisë administrative Fushë-Bulqizë.