
Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” ka reaguar pas votimit nga Parlamenti Europian të Progres-Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitet 2023–2024, i cili u miratua me shumicë votash më 9 korrik 2025. Në pikën 58 të këtij raporti, eurodeputetët i kërkojnë autoriteteve shqiptare të heqin dorë nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, duke theksuar dëmet e rënda ekologjike, sociale dhe kulturore që sjell ky projekt, përfshirë edhe zhvendosjen e komuniteteve vendase.
“U bën thirrje autoriteteve shqiptare […] të braktisin planet për hidrocentralin e Skavicës në lumin Drin i Zi, duke pasur parasysh ndikimet e tij të rënda ekologjike, sociale dhe kulturore, duke përfshirë zhvendosjen e komuniteteve lokale.” thuhet në tekstin e raportit.
Shoqata thekson se ky është një moment vendimtar për të ndalur një projekt me dëme të pariparueshme, i cili është kundërshtuar ndër vite jo vetëm nga komuniteti lokal, por edhe nga organizatat mjedisore, ekspertët dhe qytetarë të shumtë në vend e jashtë tij. Në deklaratën publike, thuhet se projekti është i zëvendësueshëm me burime të tjera të energjisë, më pak të dëmshme për mjedisin dhe komunitetin.
Shoqata sjell në vëmendje edhe rezolutën e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Dibrës, i cili me shumicë votash ka kërkuar ndalimin e këtij projekti, duke theksuar përputhjen e qëndrimit lokal me atë të Parlamentit Europian.
Sipas deklaratës, edhe analiza e vetë kompanisë “Ernst & Young”, e kontraktuar për të studiuar mundësitë e financimit të projektit, ka evidentuar mungesën e interesit nga institucionet financiare ndërkombëtare, për shkak të riskut të lartë dhe kërkesës që Shqipëria të mbulojë projektin, përmes garancive sovrane.
“Nuk ka më kohë për të zvarritur një projekt që prej vitesh ka hasur në refuzim publik dhe mungesë të qartë mbështetjeje financiare. Qeveria duhet të marrë një vendim përfundimtar për të ndalur Skavicën, në përputhje me vullnetin e shumicës së banorëve të Dibrës dhe qytetarëve shqiptarë kudo që janë,” thuhet në reagim.

Shoqata i bën thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) që të ndërpresin çdo hap të mëtejshëm për projektin, në përputhje me thirrjet e komunitetit dhe të institucioneve ndërkombëtare.
Në fund, Shoqata thekson se është koha për të lejuar zhvillimin alternativ të rajonit të Dibrës, përmes investimeve në agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe ekonomi të qëndrueshme, dhe jo ta dënojnë atë me projekte pa perspektivë që rrezikojnë të zhysin nën ujë një zonë me rëndësi historike e natyrore.
“Ne nuk jemi gati të braktisim vendlindjen tonë. U bëjmë thirrje të gjithë dibranëve që të ngrihen e të kundërshtojnë këtë projekt sa herë që iu jepet mundësia. Zëri ynë duhet të dëgjohet,” përfundon deklarata.
Rezoluta më e fundit e Parlamentit Europian lidhur me procesin e zgjerimit – specifikisht mbi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor – dërgoi një sinjal të qartë lidhur me masat për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit në Shqipëri, të cilat sipas BE-së janë të panegociueshme kur bëhet fjalë për procesin e integrimit.
Sipas eurodeputetëve, Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore, duke përfshirë edhe qytetarët në vendimarrjen mjedisore, sipas detyrimit për t’ju përmbajtur konventave ndërkombëtare të Aarhus dhe Espoo.
Në vitet e fundit, organizatat mjedisore kanë kritikuar ashpër ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura në Shqipëri, si edhe projektet kontroverse si Aeroporti i Vlorës në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë apo planet e hidrocentraleve në Vjosë dhe Skavicë.
Edhe pse përshëndeti vendimin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, Parlamenti Europian i bëri thirrje Shqipërisë të tërheqë ligjet dhe projektet kontroverse që rrezikojnë mjedisin.
Rezoluta e Parlamentit Europian shpreh shqetësime lidhur me ndryshimet e fundit ligjore përsa i përket Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që sipas tyre i hap rrugën infrastrukturave të mëdha turistike në zona të ndjeshme ekologjike.








