Pagat e çmendura, 800 gjyqtarë e prokurorë ‘shqyejnë’ buxhetin

315

Teksa mosmarrëveshjet politike mes opozitës dhe mazhorancës kanë ‘ngrirë’ zbatimin e ligjit të Vetingut, rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, pa zhurmë dhe me bekimin e Gjykatës Kushtetuese, do të marrin pagat e ‘çmendura’ që nga data 22 nëntor 2016.

Në një kohë kur lideri i opozitës e shpalli Vetingun projekt mafioz dhe pjesë e një komploti ndërkombëtar, Gjykata Kushtetuese detyron qeverinë të paguajë shumëfish prokurorët dhe gjyqtarët që nga nëntori i vitit të kaluar, por me kusht që t’i nënshtrohen më parë skanerit të trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurisë, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.

Pra, ndërkohë që dita e zbatimit të Vetingut mbetet ende e largët, rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, që nga data 22 nëntor 2016, do të marrin 4 mijë USD pagë mujore.

Vendimi për pagat e reja për prokurorët dhe gjyqtarët ka hyrë në fuqi që në datën 18 prill, por njerëzit e drejtësisë do të marrin edhe disa paga të prapambetura, që përkojnë me hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e magjistratëve, gjithnjë nëse kalojnë me sukses Vetingun.

Shumëfishimi i pagave  

Në 22 nëntor të vitit 2016 hyri në fuqi ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pjesa II, kreu III, i këtij ligji, parashikonte pagat dhe për përfitime e reja për gjyqtarët dhe prokurorët.

Duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, vështirësitë etj., paga e një gjyqtari dhe prokurori shkon rreth 4 mijë USD në muaj, ndërsa kostoja vjetore për punonjësit e drejtësisë së re shkon 45 milionë USD në vit.

Njerëzit e drejtësisë përfitojnë edhe një sërë benefitesh të tjera si kredi të buta për shtëpi, shkollim për fëmijët, ruajtjen e familjes etj. Por, pika pesë e nenit 169 të ligji parashikonte zbatimin e këtij kapitulli vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët që kalonin me sukses procesin e Vetingut. Pra, Vetingu ishte kusht, për të përfituar pagat e reja dhe benefitet e tjera.

Ndërsa pika gjashtë e nenit 169, parashikonte që gjyqtari dhe prokurori, që kalonte me sukses Vetingun pas datës 1 janar 2019, gëzon të drejtën për të marrë diferencën mes pagës dhe përfitimeve të tjera, brenda tre muajve nga vendimi i formës së prerë të rivlerësimit. Ndërkaq, Unioni Gjyqtarëve i kërkoi Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e pikës 5 dhe të pikës 6 të nenit 169, duke kërkuar rritjen e pagave pa kaluar në filtrat e Vetingut.

Vendimi i Kushtetueses, hyrja në fuqi

Gjykata Kushtetuese, me vendimin numër 35, datë 18.04.2017, përpos tjerave rrëzoi fjalinë e fundit të pikën pesë dhe pikën gjashtë të nenit 169 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kushtetuesja la në fuqi parashikimin që prokurorët dhe gjyqtarët të mos marrin pagat e reja pa kaluar Vetingun, por nëse kalojnë Vetingun do të marrin pagat që në nëntor të 2016 dhe jo në kohën e kalimit të Vetingut.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/a dhe 134/1/h të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 e në vijim të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, njëzëri, vendosi: Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të… nenit 169, pika 5, fjalia e fundit dhe pika 6 e këtij neni”, thuhet në vendim. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 18 prill dhe po atë ditë ka hyrë në fuqi.

“Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Anëtarë: Bashkim Dedja (kryetar) Vitore Tusha, Vladimir Kristo, Besnik Imeraj, Gani Dizdari, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Fatos Lulo Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Legjislacioni për pagat

Neni 169, pika 5 dhe 6 të ligjit sipas variantit të miratuar nga Parlamenti

5. Pjesa II, kreu III, i këtij ligji, për pagat dhe për përfitime të tjera është i zbatueshëm për magjistratin, i cili kalon me sukses procesin e rivlerësimit, siç përcaktohet nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, pavarësisht kësaj, në asnjë rast jo më shpejt se 1 janar 2019.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë magjistratët në institucionet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët përfitojnë pagat dhe përfitimet e tjera, sipas këtij ligji, me caktimin në mënyrë të përhershme në këtë pozicion. Gjatë periudhës së rivlerësimit, për magjistratin, i cili ende nuk është rivlerësuar, do të zbatohen parashikimet ligjore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji në lidhje me pagat dhe përfitime të tjera.

6. Magjistrati që ka kaluar procesin e rivlerësimit pas datës 1 janar 2019 gëzon të drejtën për të marrë diferencën mes pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji, brenda tre muajve nga vendimi i formës së prerë të rivlerësimit.

Pikat e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese

Neni 169

Dispozita kalimtare për të drejtat dhe detyrimet e magjistratëve

5. ….Gjatë periudhës së rivlerësimit, për magjistratin, i cili ende nuk është rivlerësuar, do të zbatohen parashikimet ligjore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji në lidhje me pagat dhe përfitime të tjera.

6. Magjistrati që ka kaluar procesin e rivlerësimit pas datës 1 janar 2019 gëzon të drejtën për të marrë diferencën mes pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji, brenda tre muajve nga vendimi i formës së prerë të rivlerësimit.

Pretendimi i gjyqtarëve

Rrëzimi i pikës 5 të nenit 169 të ligjit për statusin u kërkuar nga Unioni i Gjyqtarëve. Përpos të tjerave, ata kërkuan rritjen e pagave pa kaluar në filtrat e Vetingut. “Vlerësojmë se kufizimi i përfitimit të pagës dhe përfitimeve të tjera që parashikohen në këtë ligj me kalimin e procesit të Vetingut, jo vetëm që cënon parimin e prezumimit të pafajësisë e barazisë përpara ligjit, por cënon në mënyrë të hapur dhe parimin e proporcionalitetit.

Kështu, në rastin konkret nuk justifikohet interesi publik i këtij kufizimi. Madje i pajustifikuar është dhe afati 1 Janar 2019 i vendosur për marrjen e pagës së re”, thuhet në padinë e gjyqtarëve. Gjyqtarët thanë se kushtëzimi i rritjes së pagave me procesin e Vetingut u cenonte nderin dhe dinjitetin.

“Kjo dispozitë jo vetëm që cënon parimin e prezumimit të pafajësisë duke e filluar procesin e Vetingut me paragjykim se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët janë fajtor, por në vetvete kjo dispozitë cënon në thelb nderin dhe dinjitetin e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë qoftë si funksionar publik, qoftë dhe si individ”, thuhet në padi.  shqiptarja.com