Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton mangësi serioze në ngritjen dhe funksionimin e mekanizmave kundër korrupsionit në Bashkinë Mat, duke krijuar një mjedis me risk të lartë për abuzim me detyrën, mungesë transparence dhe mosndëshkueshmëri institucionale. Sipas audituesve, institucionit i mungojnë strukturat, procedurat dhe dokumentet bazë që parashikohen shprehimisht nga legjislacioni në fuqi për parandalimin dhe raportimin e rasteve të korrupsionit.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me mos hartimin dhe mos zbatimin e procedurave të sinjalizimit. Raporti konstaton se në Bashkinë Mat “nuk është hartuar rregullore për hetimin administrativ të sinjalizimit dhe mbrojtjen e konfidencialitetit”, në kundërshtim me ligjin nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit”. Sipas KLSH-së, mungesa e kësaj rregulloreje e bën të pamundur garantimin e mbrojtjes për punonjësit apo qytetarët që mund të denoncojnë shkelje, duke frenuar raportimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit.
Audituesit theksojnë se, edhe pse formalisht është miratuar një dokument për këtë qëllim, “procedurat nuk janë të plota dhe nuk garantojnë mbrojtjen efektive të sinjalizuesit, siç kërkohet nga ligji”. Kjo situatë krijon pasiguri ligjore dhe praktike, duke e bërë mekanizmin kundër korrupsionit jo funksional në realitet.
Një tjetër problem i rëndësishëm lidhet me mungesën e strukturave mbikëqyrëse dhe këshilluese, si Komiteti i Auditimit të Brendshëm, i cili luan rol kyç edhe në identifikimin e rreziqeve të korrupsionit. Raporti nënvizon se “Komiteti i Auditimit të Brendshëm nuk është krijuar”, në kundërshtim me ligjin nr. 114/2015 dhe VKM nr. 160/2016. Sipas KLSH-së, mungesa e këtij organi dobëson ndjeshëm sistemin e kontrollit të brendshëm dhe ul aftësinë e institucionit për të identifikuar dhe parandaluar praktika korruptive.
Problematike paraqitet edhe menaxhimi i riskut, përfshirë riskun e korrupsionit. Raporti vëren se nuk ka një qasje të strukturuar dhe të dokumentuar për identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin e risqeve, veçanërisht në fushat me ndjeshmëri të lartë si punësimet, prokurimet dhe menaxhimi i pronës publike. Sipas audituesve, “mungesa e planeve dhe analizave të riskut rrit ndjeshëm mundësinë e shkeljeve dhe cenon interesin publik”.
KLSH evidenton gjithashtu se auditi i brendshëm nuk ka luajtur rolin e tij parandalues, duke mos identifikuar në kohë mangësi dhe shkelje që lidhen drejtpërdrejt me riskun e korrupsionit. Në raport thuhet se “nuk janë audituar aktivitetet me risk të lartë”, ndonëse Manuali i Auditimit kërkon auditim të shpeshtë për këto sisteme. Kjo, sipas audituesve, ka lënë pa kontroll sektorë kyç të bashkisë, duke rritur ekspozimin ndaj praktikave abuzive.
Në përfundim, raporti evidenton se mungesa e mekanizmave funksionalë kundër korrupsionit në Bashkinë Mat nuk është thjesht problem procedural, por një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisjen vendore dhe besimin e qytetarëve.









