Mungesa e ujit të pijshëm në Bulqizë

497

Bulqiza përpos pasurisë nëntokësore të kromit është e rrethuar edhe nga burime të shumta ujore, por që qyteti përballet me orë të zgjatura të mungesës së ujit të pijshëm. Sidomos gjatë stinës së verës.

Në vitin 2013-të nisën punimet për sistemimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të lagjes së vjetër në Bulqizë, investim i cili e çoi deri në 12 orë furnizimin me ujë të pijshëm. Por që shumë shpejt orari i furnizimit me ujë u shkurtua, ku sot nuk kalon më shumë se 7 orë në ditë.

Por më problematike situata paraqitet në Lagjen e Re, ku që prej vitit 1985 kur është ndërtuar, në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm nuk është investuar asnjëherë. Burime të bulqizaime.al bëjnë me dije se ditët e sotme, humbet afro 70% e ujit dhe vetëm 30% shkon tek konsumatorët.

Kjo lagje, gjatë verës nuk ka më shumë se 1 orë e gjysëm furnizim me ujë të pijshëm në ditë dhe në dimër shkon në afro 5 orë. Por këta të fundit, edhe pse në dimër kanë orar paksa më të zgjatur të furnizimit me ujë, duhet të përballen me problemin e ngrirjes së tubacioneve për shkak të tempraturave shumë të ulëta që përfshijnë Bulqizën.

Agimi është një banor në Lagjen e Re dhe shprehet se mungesa e ujit të pijshëm është një problem shumë i madh për ta. “Jetojmë mes ujit dhe ujë nuk kemi. Tani jemi mbledhur si pallat dhe po diskutojmë që të blejmë një pompë dhe ta vendosim. Është turp të flasësh për vendosje pompash për ujë të pijshëm në Bulqizë. Por unë që e kam shtëpinë në katin e pestë, kam gati një javë që nuk lahem, sepse presioni i ujit është aq i dobët se nuk mbërrin dot deri tek dushi” -shprehet ai.

Mungesa e ujit të pijshëm në Bulqizë është kthyer në një problem shumë të madh edhe për bizneset, sidomos ato të restoranteve dhe bar-kafeve. Këta të fundit kanë vendosur depozita, por që sipas tyre për ritmin e punës që kanë edhe kjo e fundit nuk shërben mjaftueshëm. Pa prekur pastaj edhe problemet që vijnë nga cilësia e ujit të depozitave.

Por përballë një stuate të tillë, Ndërmarrja e Ujësjellësit ka “ngritur duart lart”, edhe pse me reformën territoriale duhet të kishte marrë nën menaxhim edhe ujësjellsat e fshatrave, përpos Shupenzës një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Situata  në fshatra paraqitet e vështirë, ku banorët kanë investuar vetë për shtrimin e tubacionit, por që po përballen me ndërprerje të ujit të pijshëm.

Ujësjellës Sh.A Bulqizë, arrin të grumbulloj afro 50% të pagesës së ujit nga abonentët familjarë dhe 70-80% nga biznesi, por që këto të ardhura nuk mbulojnë më shumë se pagat që shkojnë për personelin e saj, me afro 40 persona të punësuar.

Inxhinier të fushës së ujrave, shprehen për bulqizaime.al se nëse do kryheshin investime në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm të Lagjes së Re, ndëpriteshin lidhjet e paligjshme sidomos nëpër fshatra, vendoseshin matësit; me të njëjtat burime që ka aktualisht, furnizimi me ujë të pijshëm do të shkonte deri në 12 orë.

Por përballë një situate të tillë, banorët e qytetit të Bulqizës do të jenë afër ujit, por të pa furnizuar.