Mungesa e sistemit bllokon shërbimet në gjendjen civile të Dibrës dhe Bulqizës

592

Për disa ditë me radhë, mungesa e funksionimit të sistemit të gjendjes civile ka shkaktuar probleme të shumta për qytetarët në bashkitë Dibër dhe Bulqizë. Qytetarë që janë paraqitur në zyrat përkatëse për të kryer shërbime të ndryshme, shprehen se janë njoftuar se “nuk ka sistem”, çka ka sjellë vonesa dhe pamundësi për përfundimin e procedurave.

Nga kjo situatë janë prekur veçanërisht emigrantët që janë kthyer në vendlindje gjatë sezonit të verës, jo vetëm për pushime, por edhe për të regjistruar fëmijët e lindur jashtë shtetit, për të lidhur martesa apo për të rinovuar dokumentet e identifikimit. Disa qytetarë kanë treguar për Bulqizaime.al se kanë ardhur posaçërisht nga jashtë vendit për tu pajisur me dokumente identifikimi, por nuk kanë mundur ta realizojnë këtë për shkak të mosfunksionimit të sistemit.

Sipas burimeve nga IdentiTek, shoqëria e vetme publike që ofron aplikimin, prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike në Shqipëri, mosfunksionimi i sistemit të gjendjes civile e bën të pamundur përpunimin e aplikimeve për dokumente, pasi të dhënat merren automatikisht nga kjo zyrë. Nëse sistemi nuk është aktiv, procedura nuk mund të vijojë.

Zyrat e gjendjes civile ofrojnë një sërë shërbimesh thelbësore për qytetarët, që lidhen kryesisht me regjistrimin dhe administrimin e të dhënave personale, por jo vetëm. Ndër shërbimet kryesore përfshihen: regjistrimi i lindjes, martesës, ndarjes dhe vdekjes, pajisja me certifikata përkatëse, ndryshimet në gjendjen familjare, si dhe regjistrimi i fëmijëve të lindur jashtë vendit. Po ashtu, përmes sistemit të gjendjes civile, qytetarët pajisen edhe me dokumente identifikimi biometrike, si karta e identitetit dhe pasaporta, pasi të dhënat personale merren dhe përpunohen përmes këtyre të dhënave.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin ndërprerje të tilla. Raste të ngjashme janë raportuar në zona të tjera të vendit gjatë muajve të fundit.

Shërbimet e gjendjes civile në Shqipëri kanë kaluar gradualisht në platformën shtetërore e-Albania që prej vitit 2015, si pjesë e procesit të dixhitalizimit të administratës publike. Por në prill 2022, qeveria vendosi mbylljen e sporteleve fizike për 95% të shërbimeve publike, përfshirë edhe ato të gjendjes civile. Prej asaj kohe, qytetarët mund të marrin online përmes e-Albania një sërë dokumentesh dhe shërbimesh. Ndërkohë, disa procedura që kërkojnë prezencë fizike – si regjistrimi i martesave apo lindjeve në raste të veçanta – vazhdojnë të kryhen në zyrat përkatëse, por zakonisht nisin me aplikim përmes platformës e-albania.