Mundja tradicionale në Gollobordë

390

Ostreni i Madh në Gollobordë u bë vendi ku u mbajt edicioni i 6 i Kupës së Mundjes Tradicionale, një sport ky që nuk aplikohet në parket, por në natyrë.

Në evenimentin që u organizua nga Bashkia Bulqizë, në bashkëpunim me Shoqatën e Mundjes së Gollobordës, morën pjesë sportistë të grupmoshave të ndryshme dhe jo vetëm nga Golloborda, që e ka traditë këtë disiplinë sportive, por edhe nga Dibra, Maqedonia e Kosova.

Nuk munguan në këtë eveniment të veçantë as veteranë të këtij sporti. Aktiviteti që tashmë është kthyer në një traditë, nisi me një koncert festiv nën ritmin e muzikës tradicionale shqiptare, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe të këndshme.

Duelet në Kupën e Mundjes Tradicionale u shoqëruan nga grupi i daulleve dhe curleve të zonës. Të parët që hynë në këtë garë dyluftimesh ishin sportistët e grupmoshës deri në 15 vjeç, ku fitues u shpall Erjon Sulku. Më pas, u zhvillua turneu i mundësve të grupmoshës 15-20 vjeç, për t’ia lënë radhën atyre të grupmoshës mbi 20 vjeç. Në këtë kategori fitues u shpall Dëfrim Koçi i Ostrenit, që mposhti rivalin e tij nga Ostreni, duke marrë në dorëzim, përveç kupës, edhe çmimin tradicional të eventit, dashin e kupës.

/ Top Channel