Meta: Marrëveshje si në 2008-n. Duan ta asgjësojnë LSI-në

391

Ilir Meta tha se LSI-ja e ka kërkuar gjithmonë arritjen e një marrëveshjeje.

“LSI është sjellë në mënyrën më të përgjegjshme për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj krize dhe ka qenë forca e parë që ka këmbëngulur për dialog. Ka qenë e gatshme për të kontribuuar për zgjidhje politike dhe për të investuar në krijimin e një qeverie besimi. Tani e kemi qeverinë e besimit”, tha presidenti i zgjedhur, Ilir Meta.

Ai është pyetur për ngjashmërinë e paktit Rama-Basha, me marrëveshjen e vitit 2008 “Rama-Berisha”, pas së cilës Meta udhëhoqi protestën e LSI-së dhe grevën e urisë brenda në sallën e Kuvendit.

“Nuk ka ngjashmëri me vitin 2008, sepse jemi në realitete të ndryshme. Mund të ketë ngjashmëri me qëllime të caktuara, por nuk ka ngjashmëri midis dy realiteteve të ndryshme”, theksoi Meta.

Në vitin 2008, për marrëveshjen Rama-Berisha, LSI-ja tha se u bë për të nxjerrë nga skena politike partitë e vogla, mes tyre edhe partinë e Metës.

Gjithashtu, Meta ngriti edhe shqetësimin e mosregjistrimit të koalicioneve, por këtë më shumë si shqetësim për partitë e tjera. Për Ilir Metën, në zgjedhjet e 25 qershorit LSI do të jetë forcë e parë.

Shqetësimi për koalicionet u artikulua më herët edhe nga pasuesi i tij, Petrit Vasili.

“Na vjen keq, që u është mohuar e drejta e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në koalicione, sipas standardeve të Kodit Zgjedhor, disa partive, që përbën një problem realisht lidhur me demokracinë e përfaqësimit dhe zgjedhjen e mënyrës së konkurrimit në mënyrë të pavarur të forcave politike”, tha Vasili.

LSI-ja kishte deklaruar koalicionin me socialistët, të cilin këta të fuindit e quanin edhe strategjik. Por sot, pas marrëveshjes që i dha fund tensionit politik, kreu i ri i LSI-së, Petrit Vasili e la të hapur sërish çështjen për ta diskutuar pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

“Po punojmë që të dalim forcë e parë politike. Ky është objektivi dhe këtë duam të realizojmë deri më 25 qershor. Të gjitha diskutimet dhe debatet e tjera do të zhvillohen pasi të kemi realizuar përfundimisht këtë objektiv, nga i cili nuk do të kthehemi pas”, tha Petrit Vasili.

Qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për të qetësuar mbështetësit u paralajmërua dhe nga numri dy i LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila vlerësoi marrëveshjen si një mundësi për garë të barabartë dhe veçoi synimin e LSI-së për të dalë forcë e parë politike.

/ Top Channel