Mbrojtja e “Dosjes 184” kërkon pafajësi dhe i quan hetimet të paplota

710
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Për herë të parë që prej publikimit të përgjimeve që e implikonin në manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Dibër, ish-shefi i komisariatit të Dibër, Robert Aga foli publikisht për akuzat në seancën gjyqësore të caktuar për leximin e mbrojtjes.

Aga, i cili sipas përgjimeve vuri në dispozicion policinë për të ndihmuar kandidatin e Partisë Socialiste dhe se u përpoq të pengonte publikimin e një videoje të një rasti blerje vote duke përdorur policinë, mohoi akuzën dhe akuzoi Partinë Demokratike se i kishte vënë në rrezik oficerët e policisë.  “Dhe unë jam fatlum që nuk më janë vrarë njerëz në atë periudhë,” tha Aga në  gjyq. Ai akuzoi demokratët se kishin organizuar një forcë paramilitare që kërcënonte dhe rrihte njerëz.

Seanca e dytë efektive në gjyqin ndaj Robert Agës dhe Hasan Hotit u zhvillua të mërkurën. Në seancë ishte i pranishëm vetëm Aga, i akuzuar nga prokuroria me akuzën për “shpërdorim detyre”, ndërsa mungoi me arsyen e bllokimit nga bora, Hasan Hoti, ish-administrator i Lurës akuzuar gjithashtu për “shpërdorim detyre”. Të pandehurit u përfaqësuan nga avokati Gentjan Rumano.

Rumano në pjesën tjetër të mbrojtjes u fokusua të argumentonte se prokuroria nuk kishte bërë si duhet hetimet. Ai këmbënguli se përgjimet nuk ishin të mjaftueshme dhe tha se provat ndaj Hasan Hotit duhej të konsideroheshin të pavlefshme.

Avokatët e të pandehurve të dosjes 184, Petrit Ismaili dhe Gentjan Rumano. Foto: ABC NEWS

Rumano u shpreh në sallën e gjyqit se Prokuroria nuk ka verifikuar asnjë nga ngjarjet në të cilat pretendon se është përfshirë Robert Aga. Ai solli në mbrojtje të Agës deklarimet e politikanëve të koalicionit ‘Aleaca për  Shqipërinë Europiane’, që sipas tij kishin mohuar se ishin ndihmuar nga policia. Ai po ashtu i cilësoi gjetjet e prokurorisë bazuar mbi përgjimet si interpretime.

Vetë Aga këmbënguli se kishte qenë i kërcënuar. Ai akuzoi PD se kishte mobilizuar njerëz të krimit dhe ish-oficerë policie që kishin intimiduar dhe rrahur kundërshtarët. “Ish-kriminelë, ish-njerëz të botës së krimit, ata kanë qenë prezent,” tha Aga.

Por në përgjimet mbi të cilat është ngritur akuza ndaj Agës, ky i fundit përmendet disa herë si ndihmues i socialistëve dhe kandidatit të tyre dhe përgëzohet prej deputetëve të PS për shërbimin. Ai madje del në biseda telefonike me drejtues të lartë të Socialistëve përshi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe deputetin e PS, Xhemal Qefalia. Ministri aktual i Drejtësisë, Ulsi Manja dëgjohet gjithashtu t’i premtojë në bisedë Agës se do e ndihmonin të rritej në karrierë, edhe pse Aga kërkonte vetëm të transferohej në Bulqizë. “Ne thomi të shkojsh për ma nalt or burrë…,” citohet Manja në vendimin e gjykatës.

Në mbrojtje të të akuzuarit tjetër Hasan Hoti, avokati Gentjan Rumano tha se përgjimet që janë bërë për të, janë të papërdorshme dhe të paligjshme. “Këto përgjime janë bërë për një vepër penale që nuk kanë një marzh dënimi mbi 7 vite, por më të vogël. Unë kam ngritur pavlefshmërinë dhe këto prova nuk mund të përdoren kundër Hasan Hotit,” tha ai. Ai këmbënguli se prokuroria nuk i kishte identifikuar personat e shantazhuar.

Më herët në 4 nëntor u lexuan në gjykatë qëndrimet e prokurorisë që kërkoi dënimin e dy të akuzuarve.

Dosja 184, e njohur për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të PS u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi, ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi çështjen për gjykim. Dosja u nda më pas në dy pjesë dhe të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal, në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë, të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve” dhe Nuri Meda, ish-administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, janë në gjykim të shkurtuar, i cili po ashtu është shtyrë disa here gjatë muajve të fundit.

Për mungesën e vazhdueshme, Gjykata e Dibrës i gjobiti avokatët mbrojtës të kësaj çështje më 20 tetor me nga 50,000 lekë gjobë. Por pas zhvillimit të dy seancave, gjykata vendosi pranimin e ankesës së bërë nga avokatët dhe heqjen e gjobës.