Maturantët, ja nota mesatare që i lë jashtë dyerve të Universitetit

337

Edhe këtë vit, maturantët që në tri vite studimi nuk kanë së paku notën mesatare gjashtë, as nuk mund të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka vendosur të ruajë të pandryshuar nga viti i kaluar kufirin për ata që aplikojnë për ndjekjen e studimeve të ciklit të parë dhe programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë.

E pandryshuar mbetet edhe mënyra e përllogaritjes së saj, e cila ndahet proporcionalisht midis mesatares së rezultateve vjetore për çdo lëndë dhe asaj të rezultateve të provimeve të fundit të maturës.“Nota mesatare për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve:
a) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore”.
Por, nga ana tjetër, maturantët me mesatare nën 6 nuk penalizohen nga e drejta e studimeve.Janë disa degë profesionale 2- vjeçare, që përjashtohen nga nota kufi. “Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Janë disa degë në universitetet shtetërore e private që ofrojnë studime në disa profile, si: teknikë elektrike, hidroteknikë ujësjellës, asistent stomatologji, menaxhim ndërtimi e transporti, informatikë, elektronikë, ueb dizajn, mekatronikë e të tjera.
Ndryshe nga vjet, ku vendimi i qeverisë doli në muajin qershor, ndërsa udhëzimet e tjera për pranimet vijuan nga fundi i korrikut deri në muajin tetor, këtë vit duket se çdo gjë po realizohet në kohë. Që në janar, maturantët kanë pasur në dorë kriteret që kanë vendosur universitetet e tashmë edhe vendimin për notën mesatare.
Ndërsa në fundin e muajit maj, pritet udhëzimi për aplikimin dhe procedurën e regjistrimit në universitete. Pak ditë më parë, në një artikull për skemën e re që do të aplikohet, burime brenda ministrisë bënë me dije se do të ketë sërish dy raunde pranimi, por më të strukturuara se një vit më parë. Sakaq, fituesit në një degë do të kenë mundësinë e çregjistrimit, në rast se rezultojnë fitues në një program më të preferuar.