Maqedonia ngre flamurin e NATO-s pas nënshkrimit të protokollit të anëtarësimit

508
Foto: BIRN

Anëtarë të qeverisë, ish-kryeministra, ambasadorë dhe udhëheqës fetarë u mblodhën jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup të martën për ngritjen simbolike të flamurit të NATO-s, ndërsa Maqedonia bën hapat e saj përfundimtar drejt anëtarësimit.

Kryeministri Zoran Zaev tha në një fjalim se kjo shënon fundin e pasigurisë për vendin dhe hap rrugën për një të ardhme të begatë nëpërmjet anëtarësimit në “aleancën më të fuqishme në botë”.

“Ia dolëm mbanë të kalonim nga rruga dytësore e Ballkanit në autostradën kryesore drejt Europës,” tha Zaev.

Protokolli i pranimit u nënshkrua javën e kaluar në Bruksel, por Maqedonia nuk do të ketë të drejtën e votës dhe të marrë pjesë në vendime të rëndësishme derisa të 29 parlamentet e vendeve të NATO-s ta ratifikojnë atë.

Greqia dhe Sllovenia tashmë janë bërë të parët që e ratifikuan atë, duke gjykuar nga përvoja e mëparshme, i gjithë procesi pritet të zgjasë nga një deri në dy vjet.

Maqedonia hyn në aleancë me një emër të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, emër që u ra dakord në marrëveshjen historike të emrit e nënshkruar verën e kaluar me Greqinë.

Në këmbim të ndryshimit të emrit, të cilin Greqia e kishte kundërshtuar për vite me radhë – duke këmbëngulur se ai nënkuptonte pretendime territoriale ndaj krahinës së saj veriore të quajtur gjithashtu Maqedoni – Athina ra dakord të heqë bllokadën e saj të gjatë për pranimin euroatlantik të Maqedonisë.

NATO-ja e ftoi Maqedoninë t’i bashkohej aleancës vitin e kaluar, pak kohë pasi ajo arriti marrëveshjen me Greqinë.

Autor: Goce Trpkovski / BIRN