Malaj për reformën territoriale: “Klosi nuk zhduket”, akuza opozitës për dezinformim

596
Foto ilustrim

Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, Agron Malaj, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me projektin e reformës administrativo-territoriale që parashikon bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malaj mbrojti projektin e propozuar nga mazhoranca, duke kundërshtuar pretendimet se Klosi do të humbasë identitetin e tij.

Reagimi i deputetit vjen pasi në Klos u zhvillua një protestë kundër projektit, ku qytetarë dhe ish-drejtues vendorë kërkuan tërheqjen e draftit dhe i bënë thirrje edhe vetë Malajt të mbante një qëndrim publik.

Në deklaratën e tij, Malaj kritikoi Partinë Demokratike për takimin e zhvilluar në Klos, duke vënë në shënjestër ish-drejtuesit vendorë që morën pjesë në aktivitet.

“Është e drejta e çdo force politike të takojë qytetarët dhe të paraqesë alternativën e saj. Por kur në krye të këtij takimi shfaqen pikërisht ata që për vite me radhë patën në dorë drejtimin e Klosit dhe e lanë në një gjendje të mjerueshme, më lind natyrshëm një pyetje, me çfarë fytyrë vijnë sot para qytetarëve?”, shkruan Malaj.

Deputeti socialist thekson se reforma nuk nënkupton zhdukjen e Klosit si qytet, por një riorganizim të pushtetit vendor.

“Sot dëgjojmë zëra që përpiqen të krijojnë frikë rreth reformës së re territoriale. Por e vërteta është e thjeshtë. Klosi nuk zhduket, nuk shkrihet dhe nuk humbet identitetin e tij. Askush nuk mund t’i fshijë historinë, traditat dhe vlerat e një qyteti që i ka ndërtuar ndër breza”, shprehet ai.

Sipas Malajt, Reforma Administrativo-Territoriale 2.0 synon krijimin e një administrate më funksionale, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e mundësive për zhvillim. Ai shton se për herë të parë qytetet do të kenë një status të qartë në organizimin e pushtetit vendor, me përfaqësim të garantuar dhe rol të përcaktuar në administrimin e territorit.

Deputeti i PS-së kundërshton gjithashtu shqetësimet se reforma është një vendim i imponuar, duke deklaruar se procesi është ende në fazën e konsultimit.

“Reforma nuk është një vendim që po i imponohet qytetarëve. Ajo është produkt i një procesi të gjerë konsultimi dhe do të vijojë të diskutohet me çdo bashki, me këshillat bashkiakë dhe me vetë qytetarët, përpara se Kuvendi të marrë vendimin përfundimtar”, shkruan ai.

Një pjesë e deklaratës i kushtohet edhe administratës së Bashkisë Klos, pas shqetësimeve të ngritura nga punonjësit për vendet e punës.

“Punonjësit e administratës nuk do të mbeten pa punë. Çdo riorganizim do të bëhet sipas ligjit, me transparencë dhe me synimin që shërbimet të afrohen edhe më shumë pranë qytetarëve”, thekson Malaj.

Në fund të reagimit, deputeti ndalet edhe te raporti mes Matit dhe Klosit, duke argumentuar se dy zonat kanë një histori dhe identitet të përbashkët.

“Mati është Klosi dhe Klosi është Mati. Ky nuk është një slogan politik, por një e vërtetë historike”, shkruan ai, ndërsa shton se identiteti nuk përcaktohet nga kufijtë administrativë, por nga historia, traditat dhe njerëzit.

Projektligji për reformën administrativo-territoriale parashikon që Bashkia Klos të bashkohet me Bashkinë Mat, ndërsa Klosi të vijojë të funksionojë si qytet brenda bashkisë së re. Drafti është pjesë e fazës së dytë të reformës territoriale dhe pritet të diskutohet në konsultime publike përpara se t’i nënshtrohet miratimit në Kuvend.

REKLAMË