Lulzim Basha zhvillon takim me demokratët e Dibrës

775
Takimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha paraditen e së mërkurës në Dibër

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte paraditen e së mërkurës në Dibër, ku zhvilloi një takim me demokratët dhe drejtues të degëve. Ky është takimi i parë i Bashës nëpër qytete, që pas nisjes së përplasjeve në PD. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD tha se ka ardhur koha për të shqyrtuar rrugët e daljes nga kjo gjendje e vështirë. Kreu i demokratëve tha se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të zhytur në varfëri, ndërsa Rama paguan 300 mijë euro për 25 këshilltarë, me taksat që iu merr qytetarëve.

“Ky takim zhvillohet në kushte shumë të vështira, kudo anembanë Shqipërisë e në veçanti në treva të varfëruara me qëllim nga ky regjim siç është Dibra, siç është Bulqiza, siç është Mati, siç është Verilindja dhe Veriu në tërësi, por anembanë Shqipërisë edhe në Tiranë, 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre. Ndërkohë që dimri jo vetëm ka trokitur, por po fillon me temperaturat nën 0, 50% e familjeve shqiptare, 1 në 2 familje shqiptare nuk arrijnë të paguajnë dot më shumë se një vakt të plotë për familjet dhe fëmijët e tyre. 90% e familjeve shqiptare, e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre, pavarësisht se nga vjen, të ardhura për ata pak njerëz që janë në punë, apo fermerë, pensionist plus ndihmën që mund të marrin nga fëmijët në emigracion, punonjës të administratës apo të sektorit privat, s’ka rëndësi se nga i vijnë të ardhurat, 90% e të ardhurave shkojnë për nevojat bazë. Jo sikur të ishim në zemër të Europës, po sikur të ishim në një cep të harruar të Afrikës.” tha Basha.

Takimet në bazë vijnë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, në të cilën kreu i PD u kërkoi të gjithë drejtuesve të ishin sa më parë në terren, për të vijuar aksionin politik. Kërkesa e kryedemokratit për drejtuesit e degëve të PD-së në qarkun Dibër ishte që njëkohësisht të punojnë edhe për afrimin e atyre demokratëve që sipas tij, u përdorën nga aksioni politik i Sali Berishës.

Ilir Krosi: Kishte njerëz të importuar, shumica e anëtarëve të PD kundër tij

Nënkryetari i PD-së së Dibrës dhe ish-kryebashkiaku i Peshkopisë, Ilir Krosi, në një intervistë në emisionin Edicioni i Pasdites në Syri Tv, tha se Basha nuk e mbushi dot sallën në Peshkopi, edhe pse kishte me vete njerëz të importuar nga Tirana e gjetkë.

Ilir Krosi vlerësoi se Lulzim Basha nuk ka me vete Dibrën dhe se ka kundër shumicën e anëtarëve të PD-së në këtë qark.

“Erdhën njerëz të importuar dhe salla nuk u mbush. Takimi ishte sajuar, duke lutur njerëzit. Strukturat e seksioneve të komunave të Dibrës nuk kishin ardhur. Ky takim ishte për të mashtruar veten dhe të tjerët. Shumica e anëtarëve të PD janë kundër tij dhe nuk e di pse nuk respekton këtë verdikt të demokratëve” tha Krosi.