Lejuan ndërtime pa leje, procedohen penalisht kryeinspektori dhe 2 ish-punonjës të IVMT-së në Bashkinë Klos

963
Qyteti i Klosit. Foto: Studio Kristi

Policia e Dibrës njoftoi të mërkurën nisjen e procedimit penal ndaj kryeinspektorit dhe 2 ish-punonjësve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Klos, për shpërdorim detyre.

“M.V., 32 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Klos. F.S., 39 vjeç, ish-Kryeinspektor dhe K. D., 28 vjeç, ish-Inspektor, pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Klos.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në njoftimin e DVP Dibër, thuhej se punonjësit e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, “kanë lejuar që të kryhen ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Klos”.

Në një deklaratë për mediat më 18 maj 2021, drejtori i IKMT-së në qarkun e Dibrës, Lutfi Miftari, bënte me dije se njësitë e qeverisjes vendore me strukturat e mbrojtjes së territorit, nuk kanë marrë asnjë masë për frenimin e ndërhyrjeve në territor, pavarësisht se janë njoftuar.