Lefter Alla, kandidat i PS-së për Bashkinë Bulqizë

3340
Lefter Alla, burimi: Facebook

Biznesmeni në sektorin minerar Lefter Alla, është përzgjedhur si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë Bulqizë, në Zgjedhjet Vendore 2019.

Nga mbledhja e djeshme e kryesisë së Partisë Socialiste, nuk u publikuan emrat e kandidatëve të përzgjedhur, teksa pritja do të përfundojë të shtunën, ku PS do të njoftoj emrat e kandidatëve për 61 bashkitë dhe anëtarët e këshillit bashkiak.

“Nuk ka asnjë lloj diskutimi se zgjedhjet do të mbahen më datë 30 qershor. Kjo gjë nuk mund të vihet në diskutim nga askush. Është e sigurt që në këtë datë ka zgjedhje dhe qytetarët do të votojnë”, u shpreh dje kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në një dalje publike me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Kandidimi i Lefter Allës, që aktualisht mban postin e drejtuesit të Partisë Socialiste në Bulqizë, u konfirmua për “Bulqiza ime”, nga burime të sigurta benda selisë së PS-së. Emri i Allës nuk duket i ndryshëm nga drejtimi aktual i kreut të Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, që ka një raport familjar nip dhe dajë me Allën.

Gara për kandidimin në krye të bashkisë ka qenë e ngushtë brenda së majtës, ku deri në minutat e fundit diskutoheshin disa emra, si Myfit Duriçi, që drejtoi për 2 vite Bashkinë Bulqizë, në periudhën 2013-2015 dhe Ardit Kaja, këshilltar aktual i ministres së mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Lefter Alla, që ka mbaruar studimet për mësues edukimi fizik, nuk përbën kështu një emër surprizë për shkak të lidhjeve të tij me lidershipin aktual të Bashkisë Bulqizë, ku në këto 4 vite me anë të kompanisë së tij dhe të afërmve, ka përfituar një sërë tenderash, duke nisur nga ndërtimi i pedonales së qytetit, deri në mirëmbajtjen e rrugës së Krastës.

Teksa socialistët kanë vendosur për përfaqësuesin e tyre në zgjedhjet lokale 2019, opozita e bashkuar deklaron se nuk do të marr pjesë në zgjedhjet e qershorit, pa garantimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm. Ky qëndrim është mbajtur përgjatë muajve të fundit edhe në takimet që kreu i PD-së Lulzim Basha dhe e LSI-së, Monika Kryemadhi, kanë zhvilluar me ndërkombëtarët.