Lavazh i kthyer në pikë shpërndarje të drogës, Policia e Dibrës arreston 2 persona

756
Operacioni policor i koduar “Lavazhi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Mat. Foto: DVP Dibër.

Policia e Dibrës njoftoi se kishte goditur një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në zonën e Matit, duke arrestuar 2 persona. Të arrestuarit dyshohet se lëndën narkotike kokainë dhe kanabis e shpërndanin në lavazhin e marrë me qira në hyrje të qytetit të Burrelit.

“Strukturat për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative se në një lavazh në unazën e qytetit të Burrelit shpërndaheshin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
L. H., 32 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte marrë me qira lavazhin;
J. P., 39 vjeç, banues në Burrel, punëtor në këtë lavazh.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. N., banues në Burrel, pronari i lavazhit.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit L. H. dhe kontrollit në ambientet e lavazhit që ai kishte marrë me qira, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim dhe doza kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 10 targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, që dyshohet se shtetasi L. H. i përdorte për automjete të ndryshme, me qëllim që të kamuflonte veprimtarinë kriminale, fishekë për armë gjahu, si dhe një pushkë sportive që i përkiste pronarit të lavazhit, shtetasit Y. N.

Gjatë kontrolit fizik, shtetasit J. P., punëtor në lavazh, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë në doza.

Materialet procedurale do t’i refrohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.