Kriteri i pasurisë, ONM rekomandon të ankimohet vendimi për konfirmimin në detyrë të Prokurorit të Dibrës, Urim Buci

494
Prokurori Urim Buci pas shpalljes së vendimit. Foto: Edmond Hoxhaj | BIRN

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandon Institucionin e Komisionerëve Publikë të ankimojnë vendimin e konfirmimit në detyrë të Prokurorit të Dibrës, Urim Buci, duke e konsideruar arsyetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për pasuritë të gabuar dhe të pasaktë.

Urim Buci u konfirmua me shumicë votash më 27 prill 2023, ndërkohë që tre çështje penale të hetuara prej tij u transferuan për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë seancës dëgjimore më 25 prill u relatua se prej hetimit paraprak konstatohej pamundësi e Bucit për ndërtimin e një banese para fillimit të detyrës, pasi nuk ishin vërtetuar të ardhurat nga emigracioni. Buci pretendoi se të ardhurat ishin të ligjshme dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit të këtij subjekti, shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesja Pamela Qirko dhe relatorja Alma Faskaj konkluduan se Buci kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe nivel kualifikues në aspektin profesional.

Anëtarja Xhensila Pine doli në pakicë duke çmuar se subjekti ka mungesë koherence në deklarimet “veting”, ato periodike si dhe gjatë hetimit administrativ lidhur me investimin e kryer në një godinë banimi tre kate + papafingo. Pine e cilëson këtë situatë si përpjekje të Bucit për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes së të dhënave lidhur me justifikimin e burimeve të ligjshme të kësaj pasurie të tij.

Ajo shton se është provuar se Buci është ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit në hetimin e dy çështjeve ku palë ka qenë një shtetas me të cilin kishte kryer më parë një udhëtim si dhe në lidhjen e një kontrate qiradhënie me Bashkinë Kamëz.

Edhe ONM i gjen të pabazuara përfundimet e shumicës duke sfiduar konkluzionet në lidhje me vlerësimin e të gjithë pasurive dhe në veçanti, ato që lidhen me mungesat financiare për të ndërtuar banesën me të ardhurat nga emigrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndryshe nga shumica që e ka kryer analizën financiare për ndërtimin e banesës për periudhën 2005-2015, ONM konstaton se është vërtetuar se ndërtimi i kësaj banese ka nisur në vitin 1996 dhe është në gjendjen aktuale që prej vitit 2015.

Në rekomandim konstatohet se Komisioni vlerëson të mos konsiderohet se rrethanë e deklarimit të pamjaftueshëm mungesa financiare e konstatuar për shkak të mospërfshirjes së të ardhurave nga emigracioni.

ONM thekson se rasti i Bucit nuk mund të konsiderohet identik me atë të subjekteve të tjerë të rivlerësimit, që sipas jurispudencës së institucioneve të vetingut, nuk janë penalizuar për të ardhurat nga emigracioni.

ONM është e mendimit se në rastin e prokurorit Urim Buci, vlerësimi i provave të administruara veç e veç dhe në tërësi, krahasuar dhe me shpjegimet e subjektit, duhet të çojë në përfundimin se KPK nuk e ka vlerësuar drejt gjendjen faktike në pranimin e ekzistencës së të ardhurave të ligjshme të pretenduara prej tij. Sipas ONM, nuk mund të flitet as për zbatimin e parimit të proporcionalitetit në rastin kur ekzistenca e një të ardhure nuk mund të konsiderohet e provuar.

“Pasoja përfundimtare befasuese ishte se subjekti u konsiderua se kishte arritur standardet e kërkuara për t’u konfirmuar në aspektet e vlerësimit të pasurisë, gjë që nuk duhej të ishte kështu”, thekson ONM në rekomandim dhe i konsideron pretendimet e subjektit deklarative.

ONM i cilëson shpjegimet e Bucit të të paqarta dhe jo lineare dhe u kërkon Komisionerëve Publikë të vlerësojnë nëse ka nevojë për hetime të mëtejshme në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në vijim, ONM evidenton pretendimin e subjektit se vlera 10 milionë lekë e shënuar në delaratën e vitit 2005 si e shpenzuar për ndërtimin e banesës ishte një gabim material, pasi ishte shprehur në lekë të vjetra dhe jo të reja.

“KPK e pranoi këtë shpjegim. Është mjaft interesante se, në të njëjtën deklaratë vjetore periodike, subjekti I rivlerësimit ka treguar saktë në lekë vlerën e një automjeti të vitit 1987”, shprehet ONM.

Në përfudim, ONM vlerëson se bazuar në informacionet dhe dokumentet e administruara gjatë hetimit administrativ, duket se Bucit i mungojnë burimet e ligjshme për të justifikuar pasurinë e tij. Duke e cilësuar vendimin e KPK-së të pasaktë dhe jokonsistent në argumentimin e çështjes, ONM kërkon ankimin e vendimit të Komisionit në Kolegj.