Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur plotësimin e vakancës së krijuar në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, duke ia kaluar mandatin zj. Fllanxa Losha, kandidate nga lista shumemërore e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Vendimi është marrë më 3 shkurt 2026 nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës dhe strukturat përkatëse të KQZ-së.
Vakanca u krijua pas dorëheqjes së këshilltares Silva Duka, e cila i dërgoi një letër zyrtare Këshillit Bashkiak ku njoftonte largimin nga funksioni për arsye personale. Në shkresën e saj nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi shkaqet e dorëheqjes.
Që prej marrjes së mandatit në shtator 2023, pas zgjedhjeve vendore, Duka ka marrë pjesë vetëm në disa mbledhje të Këshillit Bashkiak, ndërsa pjesën më të madhe të seancave nuk ka qenë e pranishme, fakt i reflektuar edhe në procesverbalet zyrtare të institucionit.
Sipas vendimit të KQZ-së, mandati i kalon kandidates me numër rendor 4 në listën shumemërore të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, zj. Fllanxa Losha. Ajo ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin dhe, nga verifikimet e kryera, nuk rezulton të ketë të dhëna që përbëjnë ndalim ligjor për ushtrimin e mandatit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar për KQZ-në se kandidatja nuk është e dënuar me vendim penal të formës së prerë, ndërsa të dhënat nga gjendja civile nuk përbëjnë pengesë ligjore për zgjedhjen e saj në këtë funksion.
Vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Kundër tij mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga shpallja.
Këshilli i Bashkisë Bulqizë përbëhet nga 21 anëtarë në total.
Përbërja e këtij këshilli pas zgjedhjeve të fundit është e ndarë midis disa subjekteve politike, ku Partia Socialiste ka numrin më të madh të përfaqësuesve me 9 ulëse, e ndjekur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” me 3 ulëse dhe subjekte të tjera më të vogla.
Ky numër anëtarësh përcaktohet në bazë të popullsisë së bashkisë, e cila sipas Regjistrit Civil numëron rreth 40,223 banorë. Për bashkitë që kanë një popullsi nga 20,001 deri në 50,000 banorë, ligji parashikon pikërisht një numër prej 21 këshilltarësh.









