KLSH: 8 nga 10 tenderë në Bashkinë Dibër me shkelje ligjore, kontrata pa leje dhe investime të dështuara

1008
Grafikë ilustruese nga Bulqizaime.al.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjen probleme të shumta në planifikimin dhe zbatimin e buxhetit të Bashkisë Dibër, me theks të veçantë te mosrealizimi i investimeve publike, të cilat përbëjnë instrumentin kryesor për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve vendore. Sipas auditimit, për vitin 2024 niveli i realizimit të shpenzimeve për investime ka qenë vetëm 75%, duke lënë të papërdorura mbi 104.6 milionë lekë fonde publike.

Në raport thuhet shprehimisht se: “Nga auditimi mbi planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e planit të buxhetit rezulton se Bashkia Dibër ka pasur mosrealizim të ndjeshëm të shpenzimeve, veçanërisht për investimet publike, si pasojë e dështimit të procedurave të prokurimit dhe mosarkëtimit të të ardhurave vendore”

Ky mosrealizim nuk përbën thjesht një tregues teknik financiar, por reflekton drejtpërdrejt në vonesa ose moskryerje të investimeve në rrugë, ujësjellës, shkolla dhe objekte publike. KLSH e lidh këtë situatë me mungesën e një sistemi efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, duke theksuar se: “Bashkia Dibër nuk ka ngritur një sistem efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, duke mos hartuar një kuadër të plotë rregullash të shkruara për këtë qëllim”.

Shkelje serioze në procedurat e prokurimit publik

Një nga gjetjet më problematike të raportit lidhet me mënyrën se si Bashkia Dibër ka zhvilluar procedurat e prokurimit publik, të cilat përbëjnë hallkën kryesore për realizimin e investimeve. Nga 10 procedura prokurimi të audituara për vitet 2023–2024, në 8 raste janë konstatuar shkelje të afateve ligjore nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pa asnjë arsyetim ligjor apo teknik.

Sipas raportit: “Në shumicën e procedurave të audituara, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shkelur afatet ligjore të vlerësimit, duke mos dokumentuar shkaqet dhe pa respektuar kërkesat e Ligjit nr. 162/2020 ‘Për prokurimin publik’.

Auditimi evidenton gjithashtu përdorimin e kritereve të paargumentuara teknikisht, mungesën e raporteve përmbledhëse të vlerësimit dhe raste kur operatorë ekonomikë kanë bërë deklarime të rreme, pa u identifikuar nga strukturat përgjegjëse. Në disa kontrata për punime ndërtimi, KLSH konstaton se mungon oponenca teknike, edhe pse bëhet fjalë për investime publike me risk të lartë financiar dhe teknik.

Në raport theksohet se: “Përllogaritja e fondit limit dhe vlerësimi i ofertave janë kryer në kundërshtim me kuadrin ligjor, duke krijuar risk të shtuar për përdorim joeficient të fondeve publike”.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton se gjatë procedurave të prokurimit në Bashkinë Dibër janë konstatuar edhe raste deklarimesh të rreme nga operatorë ekonomikë. Sipas raportit, “… janë konstatuar raste kur operatorë ekonomikë kanë paraqitur deklarime të pavërteta në dokumentacionin e ofertës, pa u evidentuar dhe pa u marrë masa nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit për prokurimin publik”, duke krijuar kështu risk për përzgjedhje të padrejtë të fituesve, konkurrencë fiktive dhe përdorim joeficient të fondeve publike, si dhe duke cenuar besimin në proceset e tenderimit vendor.

Fatura të papaguara dhe shkelje e radhës ligjore të pagesave

Raporti evidenton gjithashtu një situatë problematike në menaxhimin e detyrimeve financiare. Në fund të vitit 2024, Bashkia Dibër kishte detyrime të papaguara në vlerën 113.9 milionë lekë, që përfshijnë fatura për investime dhe vendime gjykate.

Sipas KLSH: “Nga verifikimi i faturave të palikuiduara, kryesisht për investime, u konstatua se nuk është ndjekur radha e pagesës, pasi janë likuiduar fatura të vitit 2023 dhe 2024, duke lënë papaguar fatura të vitit 2022 e më parë, në 43 raste, për vlerën 46,771,725 lekë”.

Sipas KLSH ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore dhe rrit rrezikun për penalitete, interesa vonese dhe kosto shtesë për buxhetin vendor.

Kontrata dhe punime publike pa leje ndërtimi

Një tjetër aspekt kritik i raportit lidhet me zbatimin e kontratave për punë publike pa u pajisur më parë me leje ndërtimi, në kundërshtim me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. KLSH konstaton se në disa raste punimet kanë nisur dhe janë zbatuar pa dokumentacionin ligjor përkatës, ndërsa në 10 raste janë regjistruar vonesa të pajustifikuara në përfundimin e punimeve.

“… nga auditimi i procedurave dhe zbatimit të kontratave për punë publike, janë konstatuar 10 raste me tejkalim të afateve të përcaktuara në kontratë, pa argumentim teknik dhe ligjor, si dhe pa aplikimin e penaliteteve përkatëse ndaj operatorëve ekonomikë”, duke nënvizuar se kjo praktikë ka sjellë vonim në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, rritje të kostove indirekte dhe dobësim të disiplinës kontraktore, ndërkohë që strukturat përgjegjëse të bashkisë nuk kanë ushtruar kontrollin dhe mbikëqyrjen e nevojshme mbi ecurinë e punimeve

Sipas raportit: “Janë konstatuar raste kur punimet publike janë realizuar pa u pajisur më parë me leje ndërtimi, veprime këto në kundërshtim me Ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’.

Kaos urbanistik dhe leje ndërtimi në shkelje të ligjit

Auditimi i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit nxjerr në pah një situatë të rënduar urbanistike në Bashkinë Dibër. Janë konstatuar dhjetëra raste lejesh ndërtimi të miratuara në shkelje të ligjit, përfshirë tejkalim të numrit të kateve, mungesë dokumentacioni pronësie, miratim lejesh pa leje zhvillimi dhe mosrespektim të Planit të Përgjithshëm Vendor.

Raporti thekson se: “Nga auditimi i lejeve të ndërtimit dhe certifikatave të përdorimit u konstatuan shkelje të shumta procedurale dhe ligjore, përfshirë miratim lejesh pa dokumentacion pronësie dhe pa leje zhvillimi, si dhe devijime nga projektet e miratuara”.

Në disa raste janë dhënë edhe certifikata përdorimi për objekte që nuk përputhen me lejen e ndërtimit, duke formalizuar shkelje të rënda urbanistike dhe duke krijuar precedent të rrezikshëm për zhvillimin e territorit.