Klos, ura 300 vjeçare, monument kulture i kategorisë së I-rë që po degradohet çdo ditë

Si një ndër urat me harqe që njihen për stilin e veçantë të ndërtimit të saj, Ura e Halilajve nuk po mirëmbahet por gjithashtu po bie pre e dëmtimeve nga persona të papërgjegjshëm. Heqja e gurëve mbi këtë urë po vazhdon, duke i rrezikuar strukturën.

618
Ura e Halilajve në Klos. Foto: Dritan Kurti/Porta Vendore

Në hyrje të fshatit Dars, në Bashkinë e Klosit ndodhet ura shekullore e njohur si ura e “Halilajve”. Ura besohet të jetë rreth 300-vjeçare dhe është pjesë e listës së monumenteve të kulturës, kategoria I-rë, pranë Ministrisë së Kulturës. Ura në fjalë ka një rëndësi të madhe historike jo vetëm për zonën, e si e tillë ajo është e mbrojtur me statusin që ka. Por kjo urë nuk po ndjen dorën e pushtetit vendor e atij qendror prej shumë vitesh.

Historiani Sefer Duka, thotë se ky objekt i trashëgimisë tonë kulturore duhet ruajtur e mbrojtur me fanatizëm, pasi është një ndër urat më të vjetra të stilit venecian në Mat e më gjerë. Nga të dhënat historike që kemi deri sot, mësojmë se kjo urë ka qenë në një arterie të rëndësishme të lëvizjes nga Dyrrahu (Durrësi i sotëm) në drejtim të lindjes.

Për mua si historian kjo urë duhet të sigurohet e të mirëmbahet si thesar, pasi në të vërtetë vlerë të tillë ka. Ajo, jo vetëm që tregon një kulturë të hershme të zonës, por është një objekt me vlera turistike”, thotë historian Sefer Duka për Portën Vendore.

Kjo Urë mendohet të jetë ndërtuar nga një person i fisit “Halili” në fshatin Dars. Ura pozicionohet midis fshatit Dars, Bel e Fullqet. Ajo gjendet mbi degën e zallit të Xhabzës, rreth 500 metra larg grykëderdhjes së tij në lumin Mat. Është ngritur në një vend shkëmbor. Gjatësia e saj është 19,5 m dhe gjerësia e trasesë është 2.60 m. Lartësia e harkut të urës është 9 m. Ura ka një dritare me lartësi 1.7 m dhe gjerësi 1.1 m. Traseja e urës është ndërtuar me gurë ku: shtresa e parë (poshtë) është me gurë shtufor të gdhendur në mënyrë kuadratike dhe shtresa e dytë (sipër) është me gurë lumi. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m. Trashësia e secilës shtresë (të trasesë) e para 0.55m dhe shtresa e dytë (sipër) është 0.25 m.

“Ura lidhte Darsin me Fullqetin, por edhe si rrugë karvanësh që vinin nga Durrësi–Tirana–Xibër–Gurë i Bardhë e Ura e Vashës për në Dibër dhe degëzimi nga kalaja e Xibrit për në Dars–Ura e Pazarit në Klos. Ka veçori nga urat e tjera si nga harku i përthyer në mes, ashtu dhe me përputhjen e qemerëve njëri mbi tjetrin. Është më e vjetra nga urat e tjera në Mat dhe mendohet se i përket fund shekullit XVII-të ose fillimit të shekullit të XVIII-të. Ura është ndërtuar me llaç gëlqereje. Ka brenda teknikës dhe arkitektonikes elementë të stilit Venecian. Përmes kësaj ure ka pasur një arterie rruge me drejtim: Fullqet–Bel–Unjatë–Ftua–Gurrë e Madhe–Gurrë e Vogël–Ura e Shëneprenes–Frankth deri në pazarin e Komsisë. Aty ekziston një toponim me emërtimin “Kalldrëmi i vjetër” por që është shkatërruar në mesjetë. Është monument kulture i kategorisë së I-rë. Kjo urë iu ka shërbyer katër pazareve: pazarit të Klosit, Komsisë, Lisit dhe Derjanit”, shpjegon historian Sefer Duka.

Ura e Halilajve në Klos. Foto: Dritan Kurti.

Si një ndër urat me harqe që njihen për stilin e veçantë të ndërtimit të saj, ura në fjalë nuk po mirëmbahet e ç’është më e keqja po bie pre e dëmtimeve nga persona të papërgjegjshëm. Heqja e gurëve mbi këtë urë po vazhdon, duke i rrezikuar strukturën. Banorë të zonës thonë se duhet ndërhyrje e menjëhershme që të paktën të sigurohet që në të, të mos futet askush pasi mund të ketë edhe keqdashës që e prishin.

“Gurët po i hiqen dita ditës, por deri vonë ne aty kalonim para se të ndërtohej kjo ura tjetër (ura tip pasarelë pak metra më larg). 300 vjeçare është kjo urë. Unë ka 40 vite që jetoj në këtë fshat, por edhe më të vjetrit thonë se ajo ashtu ka qenë gjithmonë, veçse kur përdorej për të kaluar në të, mirëmbahej nga fshati. Pasi u ndërtua kjo ura tjetër, për këtë nuk pyeti askush. Duhet të ndërhyhet me urgjencë, pasi nuk duhet lënë që ajo të degradohet më tej sepse është pasuri e madhe, jo vetëm për zonën, por për gjithë vendin pasi mban mbi shpinë një histori 300-vjeçare. Madje, ajo duhet të jetë në shërbim të turizmit, të vendoset një tabelë informuese dhe të kthehet në atraksion turistik” – u shpreh për Portën Vendore, Lavdrim Ashiku, banor i fshatit Dars.

Pak muaj më parë, një banor i zonës, i kthyer për pushime nga emigracioni, mori iniciativën dhe i pastroi bimësinë që e kishte mbuluar urën, vetëm që ajo të shihej nga vizitorët. Por pas tij, askush nuk u kujtua më për të, duke e lënë ashtu siç ishte. Ura ka akses nga kushdo pasi nuk ka siguri, e si e tillë mund të prishet nga keqdashësit.

Në një përgjigje zyrtare për Portën Vendore, Bashkia e Klosit thotë se ka dijeni për problematikën e kësaj ure, dhe se pengesat për ndërhyrje deri tani kanë qenë situatat e krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe pandemia e shkaktuar nga Covid-19. Por nga ana tjetër, Bashkia thotë se sapo të përfundojë ky proces, do të ndërhyhet me anë të specialistëve të Drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës.

“Ne si bashki jemi në dijeni të situatës dhe kemi bërë të gjitha verifikimet përkatëse për gjendjen aktuale të objektit. Duke qenë se u gjendëm në dy situata të paparashikueshme si ajo e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe së fundmi Covid-19, nuk kemi mundur të bënim ndërhyrje, pasi fokusi ynë këto kohë ka qenë siguria e shëndetit të qytetarëve si dhe sistemi i institucioneve arsimore në prag të fillimit të procesit arsimor. Menjëherë sapo të përfundojmë këtë proces, nëpërmjet specialistëve të Drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës do të bëjmë të mundur ndërhyrjen për riparime të vogla të mundshme nga ana jonë. Në rastin e riparimeve madhore ju sqarojmë se ne si institucion do t’i drejtohemi në rrugë zyrtare Ministrisë së Kulturës, për vënie në dijeni dhe për të kërkuar ndërhyrje, duke qenë se objekti në fjalë është monument kulture dhe është në mbrojtje nga vetë Ministria e Kulturës. Bashkia Klos ka në vëmendje të veçantë turizmin, ku po punon fort për investime dhe projekte madhore në territorin e saj – thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni vendor.

Ura e Halilajve nga pamja jugore. Foto: Dritan Kurti

Ministria e Kulturës thotë se është evidentuar problemi i dëmtimit të shtresës së dytë të urës e cila është prej kalldrëmi, nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë institucion ky që administron dhe monitoron monumentet e kulturës edhe në Qarkun Dibër.
“Nga inspektimet e kryera në terren nga specialistët Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë (DRTKT), institucion i specializuar në varësi të Ministrisë së Kulturës i cili administron dhe monitoron monumentet e kulturës edhe në Qarkun Dibër, informohemi se objekti ka disa dëmtime në pjesën e sipërme të kalldrëmit, por që në tërësi gjendja konstruktive e objektit është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezikshmëri për shembje.

Ministria e Kulturës në vijim të zbatimit të misionit të saj dhe fushës së përgjegjësisë, nëpërmjet edhe institucioneve të specializuara, kryen monitorime dhe vlerësime periodike për gjendjen e pasurive kulturore si dhe harton e financon projekte restaurimi për to. Nga ana e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë, është realizuar hartimi i projekti të restaurimit, ku parashikohet ndërhyrje konsoliduese e restauruese për të gjithë objektin, punime në territor si dhe plotësimi i sinjalistikës orjentuese. Ky projekt pritet të shqyrtohet për miratim nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale brenda muajit Shtator 2020. Në vijim të projektit të miratuar Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Tiranë do të vijojë me zbatimin e tij” , thuhet në përgjigjen zyrtare për Portën Vendore nga Ministria e Kulturës.

Nëse ndërhyrja në të vonon sërish, ashtu siç ka ndodhur deri më tani, atëherë ky objekt me një vlerë kaq të madhe historike e kulturore, mund të rrezikohet nga shembja totale dhe do të jetë një dëm i pallogaritshëm për historinë, kulturën dhe stilin arkitektonik që përfaqëson.