Kishat e Kërçishtit në Maqellarë

788
Kisha e “Shën Sotirit”, Kërçisht

Fshati Kerçisht në Maqellarë është i njohur për pesë kishat bizantine, si Kral Kerçini, Shën Spahia, Shën Dhimitri, Shën Sotir dhe Shën Pobrazhit që ndodhet në majë të malit.

Vetëm dy prej tyre janë të hapura dhe mund të vizitohen, kjo edhe falë mirëmbajtjes së vazhdueshme nga banorët e zonës, që sot identifikohen si të besimit islam.

Kisha me sipërfaqen më të madhe është ajo e “Shën Dhimitrit” që thuhet të jetë ndërtuar në vitin 1892. Çatia e kishës është me konstruksion druri dhe është e mbuluar me rrasa guri. Në brendësi ka vetëm disa objekte për shërbesa fetare, ndërsa në mure ka afreske që janë të dëmtuara.

Festa lokale në zonë është “Dita e Spasovden”, e njohur gjithashtu si Dita e Ngjitjes për shkak të ngjitjeve të Krishtit që përfunduan aktin e shpëtimit. Është një festë karakteristike për ata që praktikojnë fenë ortodokse. Banorët e zonës na tregojnë se shumë besimtarë vijnë nga Tirana, Elbasani, Shkupi dhe Dibra e madhe për ta festuar. Në afërsi të kishës “Shën Dhimitrit” ndodhen edhe varret që akoma kanë kryqet e vendosura.

Në qendër të fshatit gjendet Kisha e “Shën Sotirit” me ndërtim të thjeshtë dhe ka vetëm një dritare në mes. Në mure ruhen afreske që janë dëmtuar, me përmasa 7m x 3.2m. Muret e kishës janë të ndërtuara me gurë të lidhur me llaç e gelqere. Kisha e “Shën Sotirit” mendohet të jetë ndërtuar që në shekullin e 13‐të dhe është shpallur monument kulture në vitin 1970-të.

Këto objekte kulti ndodhen vetëm 15 minuta larg nga qendra e Maqellarës. Kjo zonë ka edhe një sërë objektesh të tjera më rëndësi kulturore.